19 Prill, 2021 - 4:28 pm
Amerika është në pritje të verdiktit për ish-policin, Derek Shouvin, i akuzuar për vrasjen e afroamerikanit, George Floyd.
Për tri javë, pala akuzuese solli dëshmitarë dhe ekspertë që treguan se 46-vjeçari ishte viktimë e dhunës së tepruar policore, e cila kulmoi me presionin për 9 minuta me radhë mbi organet respiratore të afroamerikanit.
Pala mbrojtëse me ekspertët e vet pretendon se Floydi ishte përdorues i ilaçeve të forta dhe se në vdekjen e tij kontribuan ato dhe faktorë si gazrat e lëshuar nga makina e policisë gjatë arrestimit.
Ish-oficeri Shouvin rrezikon 40 vite burg për akuzën e vrasjes.
Teksa gjyqit i vjen fundi, qyteti i Mineapolisit ku ndodhi ngjarja majin e kaluar po përgatitet edhe për protesta të mundshme nëse policët e pandehur do të faleshin nga anëtarët e jurisë.
Gjykatësi i çështjes ka paralajmëruar se procesi ndaj ish-policit Shouvin dhe kolegëve të tij do të zgjatë edhe pak teksa palët përgatiten të japin argumentet e fundit në favor dhe kundër tyre./ KultPlus.com