17 Dhjetor, 2023 - 3:30 pm
Në Shtetet e Bashkuara, skandalet seksuale janë përdorur shpesh për sulme politike që kanë çuar në shkatërrimin e kandidatëve si Gary Hart dhe kërkesa për shkarkimin e presidentëve të tillë si Bill Clinton. Libri Charlie Chaplin vs. Amerika, (nëntitulli është Kur Arti, Seksi dhe Politika u përplasën) e kthen këtë këndvështrim përmbys, duke teorizuar se ishte politika ajo që u përdor si pretekst për të ndëshkuar disa skandale seksuale.
Dihet mirë se Charlot kishte lidhje me të mitura dhe nuk mund të harrohet që dramaturgu Eugene O’Neill i dha fund marrëdhënieve me vajzën e tij Oona kur ajo, në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, u martua me Chaplinin, i cili kishte mbyllur martesa me dy gra shumë të reja. Ka të ngjarë që vetë Chaplini të ketë qenë shënjestër e goditjes që vrau regjisorin William Ince në jahtin e William Randolph Hearst: siç shkruan Peter Bogdanovich në Hollywood Confidential, Chaplin ishte i dashuri i të dashurës së manjatit.
Krahasuar me këto ngjarje, libri bën një hap përpara, duke argumentuar se arsyeja pse leja e tij për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara u revokua pas premierës në Londër të “Limelight”, kishte të bënte shumë pak me idetë politike. Ostracizmi me sa duket ishte i motivuar nga një numër i pafund informacionesh në lidhje me sjelljen e tij seksuale, e cila megjithatë nuk arriti të shndërrohej kurrë në provë krimi, duke përkeqësuar indinjatën e botës puritane.
Guri themelor ishte gjyqi që Chaplini humbi me Joan Barry, një aspirante për t’u bërë aktore me të cilën pati një djalë: që nga ai moment, duke përfituar nga era e Makartizmit, iu atribua Chaplinit një ideologji që për të në fakt ishte shumë e largët, dhe për më shumë se njëzet vjet ai nuk mundi të kthehet në Shtetet e Bashkuara. Ai u ripranua vetëm kur tregoi se nuk ishte më një “kërcënim për kombin”. Por më pas, kur iu dha Oscari për Arritje Jetë, ai u duartrokit me ovacionet më të gjata në historinë e Akademisë. / KultPlus.com