Angelia Jolie flet për rëndësinë e arsimit për fëmijët anembanë globit

14 Korrik, 2020 - 9:35 am

Ylli i filmave “Maleficent”, Angelina Jolie, e cila shërben si e dërguar speciale e UNHCR-s për çështjet e refugjatëve, dëshiron të sigurohet që të rinjve u ofrohet qasje në arsim edhe pas kalimit të pandemisë së koronavirusit, kjo pasi së fundmi në media u raportua se rreth 1.5 miliard fëmijë anembanë globit, aktualisht nuk janë duke shkuar në shkollë.

Kjo shifër është shumë më e lartë se ajo e shënuar para pandemisë, kur 260 milionë fëmijë nuk kishin qasje në shkolla, transmeton KultPlus.

Aktorja Jolie insiston në rëndësinë e arsimit tek fëmijët, dhe jo vetëm për qëllime edukuese.

“Për miliona fëmijë dhe të rinj, shkollat janë dritare e rëndësishme e hapjes së mundësive në jetë, dhe një vend i cili i mbron ata. Klasat e mësimit u ofrojnë atyre mbrojtje ose të paktën i mban larg dhunës dhe rrethanave të tjera të vështira. Dhe pa u ofruar ndihmë urgjente praktike, disa nga këta fëmijë që kanë mbetur pa u shkolluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, rrezikojnë të mos kthehen në më kurrë në shkolla. Ne duhet të gjejmë mënyra që të sigurojmë qasje në vazhdimësinë e arsimit, për të rinjtë anembanë botës. Sigurimi i arsimit për fëmijët refugjatë është diçka të cilën mund të bëjmë, nëse të gjithë i bashkojmë forcat,” citohet të ketë thënë Jolie.

Mesazhi i aktores së njohur hollywoodiane, vjen pasi qeveria Britanike u zotua se do t’i dhurojë 5.3 milionë funte për organizatën UNHCR, me qëllim të mbrojtjes së edukimit të fëmijëve refugjatë.

Lajmi, po ashtu vjen pas raportit të organizatës, “Save the Children”, e cila paralajmëroi për urgjencën e fshehtë të arsimit, me të cilën përballen kryesisht fëmijët më të varfër të botës.

Sipas këtij raporti, rreziku i dëmtimit të sistemit arsimorë pas pandemisë, i prek vendet e varfra të tilla si: Nigeria, Mali, Chadi, Liberia, Afghanistani, Guinea, Mauritania, Yemeni, Nigeria, Pakistani, Senegali dhe Bregu i Fildishtë. / KultPlus.com

Të ngjajshme