Angelin Preljocaj dhe Erion Kruja sjellin “Frymë” në TKOB

25 Shkurt, 2025 - 11:31 am

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit solli dy balete në një natë. Mbrëmjen e djeshme u vu në skenë shfaqja “Frymë” e përbërë nga “La Stravaganza” dhe “Intricate Threads Of Humanity”.

Baletet janë krijime të dy emrave të shquar të skenës ndërkombëtare, Angelin Preljocajt dhe Erion Krujës.

Këto dy vepra artistike janë një eksplorim i thellë i përvojës njerëzore, ku baleti bëhet gjuha universale që shpreh ndjenjat, kontrastet dhe kompleksitetin e jetës.

Angelin Preljocaj është një nga koreografët më të njohur bashkëkohorë me origjinë shqiptare.

Vepra e tij “La Stravaganza” ka të ndërthur elementet e traditës me ato të modernitetit i cili ka një vërshim të së shkuarës në të ardhmen, njësoj sikur koha të ishte një rreth pa mbarim, një përjetësi.

Me një koreografi të fuqishme dhe ekspresive, ky balet trajton temën e përplasjes midis kulturave të shekullit të 17-të dhe asaj moderne, duke eksploruar konceptet e emigracionit dhe ndërveprimit midis së kaluarës dhe së tashmes.

Një balet Muzika përfshin vepra të Antonio Vivaldit, si dhe kompozime elektronike nga artistë bashkëkohorë si Evelyn Ficarra, Robert Normandeau dhe Åke Parmerud.

Preljocaj krijoi “La Stravaganza” për New York City Ballet si pjesë e projektit “Diamond Project III”, me premierën më 22 maj 1997. Që atëherë, baleti është interpretuar nga trupa të ndryshme në mbarë botën.

Ndërkohë, koreografi Erion Kruja, një tjetër artist shqiptar me karrierë të suksesshme ndërkombëtare, solli në skenën e TKOBAP-së “Intricate Threads of Humanity”, si një premierë absolute. Vepra zhytet në thellësitë e sjelljes dhe emocioneve njerëzore.

Me një qasje të guximshme ndaj koreografisë dhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj muzikës dhe skenografisë, Kruja krijoi një eksperiencë të paharrueshme për publikun./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme