11 Shkurt, 2022 - 5:00 pm
Angelina Jolie u rikthye në Uashington për të shprehur mbështetjen e saj për viktimat e abuzimit në familje duke i kërkuar Senatit të rinovojë Aktin për Dhunën Kundër Grave (VAWA), për të cilin ajo argumenton se ofron mbrojtje themelore për të mbijetuarit e abuzimit.
”Duke qëndruar këtu, në qendër të fuqisë së kombit tonë, unë mendoj për këdo që ndihet e pafuqishme përballë abuzuesit dhe nga një sistem që nuk arrin t’i mbrojë ato”, tha Jolie në fillim të fjalimit të saj.
”Miratimi i këtij ligji është një nga votimet më të rëndësishme për senatorët amerikanë për këtë vit”, theksoi tutje Jolie.
Jolie ishte me vajzën e saj, Zahara Marley Jolie-Pitt në Capitol Hill.
Sipas Variety, vizita e saj e fundit në Uashington ishte në dhjetor 2021, kur u takua me ligjvënësit në mbështetje të VAWA-s.
Aktorja ka qenë e përkushtuar në mbështetjen e saj për VAWA-n duke punuar me sponsorët dhe avokatët e saj për të shtuar dispozita për ligjin që trajton ndikimin te fëmijët në rastet e dhunës në familje.
Jolie gjithashtu ndau mbështetjen e saj për VAWA-n përmes Instagramit të saj zyrtar.
”Jam mirënjohëse dhe e përulur që bashkohem me avokatë dhe ligjvënës të përkushtuar”, shkroi aktorja.
VAWA u miratua për herë të parë në 1994, duke krijuar dispozita për ndjekjen penale në nivel federal të krimeve të dhunës në familje dhe sulmeve seksuale. Ligji gjithashtu ofronte mbështetje për strehimoret, qendrat e krizës së përdhunimeve dhe organizatat e tjera të komunitetit.
Pas riautorizimit në vitin 2012, ligji skadoi në vitin 2018.
Një koalicion dypartiak prezantoi dje një marrëveshje për të rinovuar VAWA-n. /atsh/ KultPlus.com