Anglezët nuk i ‘binden’ as koronavirusit

16 Mars, 2020 - 6:19 pm

Pavarësisht se në të gjithë Anglinë po përgatiten për masa shtrënguese për shkak të përhapjes së koronavirusit në vend, të rinjtë duket se nuk janë shumë të shqetësuar.

Përveç Londrës, ku numri i frekuentuesve të lokaleve të natës dhe shesheve kryesore ka rënë disi, festat në shumë qytete nuk janë ndërprerë, ndërsa janë organizuar edhe koncerte, transmeton KultPlus.

Në Lids, studentët kanë nisur me ritualet tradicionale që kryhen para festës së Shën Patrikut,edhe pse në Irlandë, ku e ka origjinën festa e kremtuar më 17 mars, ceremonitë janë anuluar.  Numri i viktimave në Mbretërinë e Bahskuar është dyfishuar në 24 orët e fundit, duke shkuar në 35, ndërsa mbi 6000 vetë kanë humbur jetën në të gjithë botën.

Por, kjo nuk i ndali fanatikët e garave me kuaj. 70 mijë vetë ndoqën garat “Cheltenham”, për katër ditë me radhë, pavarësisht se që nga fundjava e ardhshme, grumbullime të tilla nuk do të mund të mbahen më.

Koronavirusi mund të shkaktojë shtyrjen ose edhe anulimin e disa ngjarjeve të rëndësishme artistike në Britani, si festivali i Glastonbërit, përvjetorin e ditës së fitores ndaj nazizmit, por edhe turneve sportive, si kampionati i tenisit në Uimbëlldon.

Pavarësisht kësaj, Britania nuk ka marrë ende masa drastike, sikurse disa vende të tjera të kontinentit të vjetër./konica/ KultPlus.com

Të ngjajshme