22 Tetor, 2024 - 12:14 pm
Anibar dhe Institut français du Kosovo kanë kënaqësinë të njoftojnë për lansimin e projektit për të rinjtë kosovarë, projektin GENESIS.
I financuar nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, GENESIS do të zbatohet bashkërisht nga Institut français du Kosovo dhe Anibar. Ky projekt ambicioz ka për synim të mbështesë deri në 65 të rinj kosovarë përmes trajnimeve intensive dhe të krijojë kushte për zhvillimin e sektorit të filmit të animuar në Kosovë.
Lansimi i projektit do të ndodhë më 25 tetor 2024, duke filluar nga ora 17:00, në kino Armata në Prishtinë. Ky event është i hapur për të gjithë të interesuarit dhe mirëpret të rinjtë, profesionistët e industrisë dhe dashamirësit e artit dhe animacionit.
● Programi i GENESIS do të zgjasë mbi tetë muaj, duke përfshirë:
● Trajnime në animacion 2D dhe 3D,
● Kurse në gjuhën frënge,
Trajnime të specializuara për fusha si shkrimi i skenarit, dizajni i zërit për animacion, postproduksioni, dhe të tjera.
Përveç kësaj, disa nga studentët e përzgjedhur do të kenë mundësinë për të bërë një ose dy udhëtime studimore në Francë, ku do të punojnë me profesionistë të njohur të industrisë. Ky bashkëpunim do t’u ofrojë atyre ekspertizë dhe njohuri nga të dy vendet, Franca dhe Kosova, për të nxitur zhvillimin e projekteve të tyre personale dhe për të kontribuar në fuqizimin e industrisë kreative në Kosovë.
Të rinjtë pjesëmarrës në këtë projekt, pas përfundimit të procesit të aplikimit dhe intervistave, tani janë gati të fillojnë me aktivitetet e projektit GENESIS. Projekti do të ndikojë pozitivisht në industrinë kreative dhe në sektorin e filmit në Kosovë, duke fuqizuar talentet e reja kosovare dhe duke i aftësuar ata me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare.
Për më shumë informata, kontaktoni në: [email protected]./KultPlus.com