18 Shtator, 2021 - 3:58 pm
“Wonder of the Seas” është anija më e madhe në botë. Ajo ka nisur lundrimin duke realizuar me sukses 1550 milje detare, si pjesë e testimeve të saj para se vitin e ardhshëm, më 4 mars 2022, të nisë zyrtarisht lundrimin me pushues, transmeton KultPlus.
Pamjet e publikuara tregojnë anijen me një gjatësi 362 metra teksa ka dalë për herë të parë në det. Gjatë 4 ditëve testimi, anija ka kryer një distancë sa gjysma e largësisë Londër-Nju-Jork, ku arriti një shpejtësi deri në 43 kilometra në orë. Më shumë se 500 punonjës morën pjesë në gati 40 inspektime që iu bënë anijes para se ajo të niste lundrimin.
Majin e ardhshëm, kroçera “Wonder of the Seas” do t’i drejtohet Mesdheut për një lundrim 7 net, me destinacione nga Barcelona, Palma de Mallorca dhe Capri në Itali.
Kompania Royal Caribbean premton se pushuesit do të përjetojnë një aventurë të jashtëzakonshme në kroçerën, e cila do të jetë një qytet lundrues, ku nuk do të mungojë asgjë, nga pishinat te lojërat për fëmijët, transmeton tutje KultPlus.
“Do të jetë mrekullia më e re në botë, në Karaibe dhe Mesdhe. “Wonder of the Seas” do të ofrojë aventura të jashtëzakonshme, për të gjitha moshat që do të jenë në bordin e saj”, tha Michael Bayley, drejtori i përgjithshëm i Royal Caribbean International.
“Wonder of the Seas” është e gjerë 64 metra dhe mund të mbajë deri në 6988 pushues në 16 nga 18 kuvertat e saj, ka 24 ashensorë për pushuesit, ndërsa atyre do t’u shërbejnë 2300 anëtarë të ekuipazhit. / KultPlus.com