Anisa Markarian, aktorja e skenaristja feston sot ditëlindjen

4 Korrik, 2024 - 3:57 pm

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, uroi me rastin e ditëlindjes, aktoren Anisa Markarian.

Në mesazhin e urimit që Gonxhja ndau në rrjetet sociale, Markarian vleresohet si “artistja sqimatare e talentuar, e cila përmes roleve dhe interpretimeve të saj të paharrueshme kinematografike, si dhe nëpërmjet krijimeve të saj letrare me një shqipe të përkorë, u shndërrua në një nga figurat më të spikatura të elitës artistike dhe intelektuale shqiptare, duke u vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” i Punës”.

Markarian lindi në Tiranë, më 1962, në një familje me origjinë armene. Përveç angazhimit në kinematografi, si aktore, Anisa Markarian ka shkruar edhe skenarë. Ka interpretuar në disa filma ku ka fituar dhe çmime kombëtare për aktrimin. Filmin e parë, “Vajzat me kordele të kuqe” e interpretoi në moshën 16-vjeçare.

Ka botuar poezi dhe prozë. Megjithëse u vlerësua për talentin e saj si aktore e skenariste, Markarian zgjodhi që karrierën e saj profesionale ta përqendronte në një tjetër fushë, atë të mjekësisë, profesion që e ushtron prej pothuaj 3 dekadash, jashtë kufijve të Shqipërisë. Anisa Markarian jeton e punon në Francë që prej vitit 1991.

Ndër rolet e spikatur ku Anisa ka interpretuar: “Vajzat me kordele të kuqe”, “Në çdo stinë”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Ngjyrat e moshës” etj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme