27 Shkurt, 2024 - 10:06 am
Një plumb i shkrepur nga revolveri i përdorur në vrasjen e yllit të ”Beatles”, John Lennon, në Nju Jork në vitin 1980, pritet të arrijë vlerën 2 000 paund në një ankand.
Përfaqësuesit e ankandit, Anderson dhe Garland po shesin suvenirin në emër të familjes së Brian Taylor, një polic britanik që shërbeu në forcat angleze ”Northumbriane”.
Taylor u lejua të qëllonte me armë gjatë një vizite në vitin 1984 në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. Ai vetë ishte vënë në shënjestër, teksa udhëtonte me një makinë policie gjatë vizitës dhe, në shenjë ndjese, i mundësuan vizitën në një muze të vogël të policisë, ku mbahej arma.
Atje ai u lejua të gjuante me armën që gjuajti plumbat që goditën një nga yjet më të mirë dhe më të dashur të muzikës, John Lennon.
”Plumbi dhe gëzhoja u gjetën dhe ia dhanë Taylorit si dhuratë. Ai i montoi dhe i vari në murin e zyrës së tij për pjesën tjetër të karrierës së tij”, theksoi shtëpia e ankandeve në faqen e saj të internetit.
Korniza përfshin një fotografi të Taylor me uniformë duke mbajtur armën.
”Familja vendosi që kjo t’i jepej një fansi tjetër të këngëtarit të ‘Beatles”, tha shtëpia e ankandit.
Vrasësi i Lennon, Mark David Chapman, tani 68 vjeç, po vuan dënimin e përjetshëm./atsh/ KultPlus.com