13 Korrik, 2019 - 6:35 pm
Vendet e Ballkanit, edhe pse kanë nivele të larta emigracioni, nuk janë treguar të gatshme të pranojnë emigrantë të huaj në qytetet ku jetojnë, përveç Shqipërisë.
Një anketë e zhvilluar vitin e kaluar nga Barometri i Ballkanit njëkohësisht në Shqipëri, Bosnjë, Maqedoni, Serbi, Malin e Zi dhe Kosovë tregoi se shqiptarët kishin gatishmërinë më të lartë për të pritur emigrantë të huaj.
Pyetjes nëse prania e emigrantëve të huaj është e mirëpritur në qytetin tuaj iu përgjigjën pozitivisht 43% e shqiptarëve.
Pas Shqipërisë, emigrantët ishin më të mirëpritur në Kosovë, ku 28% e popullatës e kanë vlerësuar pozitivisht praninë e emigrantëve.
Në Shqipëri, popullsia që mirëpret emigrantët është 4 herë më e lartë se e vendeve fqinjë.
Më pak miqësorë për pritjen e emigrantëve të huaj shihen të jenë Bosnja dhe Maqedonia, ku vetëm 10% e popullsisë i mirëpret emigrantët.
Sipas “Our World in Data” janë rreth 57,616 mijë të huaj që jetojnë në Shqipëri, ku prej tyre 13 mijë janë të pajisur me leje pune.
Prej vitit 2010, numri i të huajve në Shqipëri është rritur. Në vitin 2010, sipas të dhënave të Bankës Botërore kishte rreth 52,784 mijë të huaj, ndërsa në 2015-n (viti i fundit me të dhëna të përditësuara) numri i të huajve është rritur me 10%.
Në rajon, Shqipëria renditet ndër vendet me numër të ulët emigrantësh. Numrin më të madh e ka Serbia, me rreth 807 mijë të huaj që jetojnë atje. Në Maqedoni janë rreth 130 mijë dhe në Malin e Zi rreth 82 mijë të huaj. Bosnjë-Hercegovina ka numrin më të ulët të huajve në rajon, ku sipas Bankës Botërore në 2015-n ishin rreth 32 mijë.