Anna

4 Prill, 2024 - 8:48 pm

Poezi nga Merita Berdica

Anna

Sa ka çilë lule mullaga, e dashur.
Pragut dritare
i shpërthen kafazlia drunj’t
e përmidis koltrines këpus aromë.
Ndrit oden kadife.

Rrethoren, ornament lulesh,
hala e kam në dorë.
Ndoshta ardhja dallandyshe
pret varsen
tek ndôj krane çerdhe
e cicërima sqep-grepuem
shkaklon bishtalecin paprâ.
Si sytë e hyjeve
ia kam ruejtë çerdhen,
ndriçim
mrena shpirtit qoshk.
Zogjve, kanë me çilë lëvozhgen,
s’ju kallxoj dimnin
i cili s’ka rrjedhë prajshëm si Buna.

Përmallshëm miklohet përhumbja,
e dashur.
Velat e freskut ma shikun pritjen.
E n’ty hijeshoj etje.

Ulun në guraleca, ndezi prendimin.
Përherë ai ka ndër buzë
avashllekun valë,
andaj derdhet si vena
tek gota tokë
e puthjen e merr malli
edhe kur puthet.
Nân kâmbët urë lundrojnë
retë e pabinduna.
Por prêp Buna i atron.
Janë krejt luleborë, topçe aortë.
Ngjizen pulëbardhat n’to
e kështu lindin lundrat.
Rremat,
grepat,
rrjetat
tri harqet e triumfit
kumbojnë erë shiroku.

E unë jam njaty
tue të pasë një frymë larg…

Bash me pelikanin
partitura e peshkatarit
hapërdan notat mbi harpen Bunë.
Uvertura dirigjon kangë muza;
“Hyjneshë
e diellit pâ prenduem
e hanes zjarmi hyjesh
e tokes ngufje krahnori
e moteve dekolte
lundro mallnueshem
mes dy dashnive!”

Shekullofsh…/KultPlus.com

Të ngjajshme