6 Mars, 2025 - 3:00 pm
Qeveria shqiptare miratoi vendimin për shpalljen e “Ansamblit Arkitektonik Urban” të një zone të qytetit të Peshkopisë, si pasuri kulturore e historike, së bashku me zonën mbrojtëse dhe planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij, në bashkëpunim me Bashkinë Dibër.
Lajmi u dha nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili vlerëson se, ky vendim i hap rrugë rijetësimit të zonës, duke e kthyer atë në një qendër tërheqëse për turizmin kulturor dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Një investim për kujtesën dhe të ardhmen e qytetit, që synon të rikthejë shkëlqimin e tij historik, të përmirësojë infrastrukturën dhe të ruajë vlerat qytetare dibrane për brezat e ardhshëm”, u shpreh ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com