Ansambli ‘Deçani’ fitues i Festivalit të Folklorit Oda e Llapushës

3 Gusht, 2024 - 5:30 pm

Ansambli “Deçani” nga Deçani ka rrëmbyer çmimin e parë në edicionin e nëntë të Festivalit të Folklorit “Oda e Llapushës”.

Në këtë garë prestigjioze, ku morën pjesë mbi 30 grupe dhe rapsodë, ky ansambël spikati me performancën e tij të jashtëzakonshme. Juria profesionale, e përbërë nga Prof. Dr. Zymer Neziri, Prof. Dr. Adem Zejnullahu dhe Prof. Dr. Haki Mulliqi, e cilësoi ansamblin “Deçani” si më të mirin e festivalit, duke i akorduar çmimin kryesor.

Çmimin për fituesin e festivalit e ndau kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nën kujdesjen e të cilit edhe është mbajtur festivali.

Juria vlerësoi festivalin si një ndër më të mirët në nivel kombëtar për ruajtjen dhe kultivimin e folklorit, dhe shprehu mirënjohje për këshillin organizativ të festivalit për përpjekjet e tyre të vyera.

Në fjalimin e tij, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Malishevë, Fitim Shala, përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit. Ai theksoi se qëllimi kryesor i festivalit është ruajtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore dhe tradicionale shqiptare, duke vlerësuar folklorin si një pasuri të madhe kulturore të popullit shqiptar.

Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë disa çmime të tjera të rëndësishme, duke përfshirë çmimin e diasporës, grupi më i kompletuar, çmimin e publikut, çmimin e karrierës, dhe çmimin “Beqir Gashi” për debutantin e festivalit. Gjithashtu, u ndanë çmimi i veteranit dhe tri çmimet e para që mbajnë emrin e kolosëve të folklorit “Salih e Feriz Krasniqi”.

Të ngjajshme