4 Mars, 2025 - 4:55 pm
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Qendra e Studimit të Arteve do të nënshkruajnë ditën e nesërme një Protokoll Bashkëpunimi.
Drejtuesit e këtyre institucioneve përkatësisht dr. Luçjan Bedeni, Valbona Zhupa dhe akad. Asoc. Stefan Çapaliku, do të nënshkruajnë nesër në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, marrëveshjen e bashkëpunimit për realizimin e projektit shkencor të iniciuar nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, “Antologjia e fotografisë shqiptare”, që synon promovimin e trashëgimisë fotografike shqiptare.
Palët do të angazhohen në projektin e botimit “Antologji e fotografisë shqiptare” me qëllim promovimin e fotografisë shqiptare. Ata do të organizojnë vizita dhe takime të përbashkëta në institucionet të cilat disponojnë arkiva fotografike, me qëllim hulumtimin e imazheve të përshtatshme për botimin.
Gjithashtu, do të organizohen takime të përbashkëta për të diskutuar strukturën që do të ketë botimi dhe përmbajtjen e tij, si edhe do të organizojnë bashkërisht, biseda të hapura për publikun me qëllim njohjen dhe promovimin e botimit./atsh/ KultPlus.com