Antonio Gramshi, intelektuali i gjithanshëm që nuk e mohoi origjinën shqiptare

27 Prill, 2021 - 5:25 pm

Antonio Gramshi, arbëreshi intelektual erudit me kulturë të gjithanshme, renditet krahas Romen Rolanit, Emil Ludvigut, Pol Eluarit, Lui Aragonit, Pikasos, Zhan Sartrit, Bertolt Brehtit e të mjaft personaliteteve të tjerë të shquar të kohës.

U nda nga jeta 84 vjet më parë, pikërisht me 27 prill të vitit 1937. Arbëreshi Gramshi ishte një nga figurat më të rëndësishme të politikës dhe të kulturës në Itali.

Ai ka shkruar 54 volume me shkrime filozofike, sociale, estetike etj. Ndër to shquhen “Rilindja”, “Shkrimet politike”, Materializmi historik”, “Intelektualët”, “Elementët e politikës”, etj.

Personaliteti i Gramshit ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve.  Ai ka dhënë kontribut me vlerë edhe në trajtimin e një varg çështjesh teorike të letërsisë dhe të artit në përgjithësi.

Kujtdo që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër Itali, është e pamundur që të mos jetë përballur ne dyqanet e shitjes së librit me emrin e Antonio Gramshit, të këtij njeriu të madh italian me prejardhje shqiptare, që nderohet dhe respektohet shumë sot në mbarë Italinë për gjestin e tij të madh, për të sakrifikuar jetën në emër të njerëzve të thjeshtë. Që tek mbiemri “Gramshi” ai tek çdo shqiptar zgjon një ndjenjë disi të veçantë, atë të një qyteti në Shqipërinë e mesme, të një fshati në Skrapar nga është edhe kryerakitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasëmi, të një fshati tjetër në Myzeqe apo të një batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese të partizanëve të Mehmet Shehut.

Në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit për drejtësi shoqërore, si simboli i italianëve të thjeshtë dhe i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit. Ai luftoi për të shembur përgjithmonë kufirin e urrejtjes midis njerëzve e urrejtjes midis njerëzve. Muzgu shpirtëror dhe fizik i tij filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit të vitit 1926, kur u arrestua nga fashistët me cilësinë e deputetit të parlamentit italian, e me cilësinë e demokratit të shquar dhe të progresistit poliedrik. Ky muzg i errët filloi atë mbrëmje të ftohtë, ku provoi lagështirën dhe neverinë e tmerrshme të qelive të burgjeve të Rexhina Çelit, të Turit në Bari, të Milanos, të Ustikes etj, duke u ballafaquar kështu jo vetëm me vuajtjet, me sëmundjen dhe të këqijat, por edhe me forcën e karakterit të vet. Kur u burgos, ishte deputet dhe sekretar i Përgjithshëm i PK Italiane, shok i vjetër idealesh me Palmiro Toliatin, me Luixhi Longon etj./ KultPlus.com

Të ngjajshme