13 Mars, 2021 - 11:20 pm
Njoftimi që ishte publikuar më 15 dhjetor nga Komuna e Prishtinës, për konkursin për projektimin e ruajtjes, restaurimit dhe adaptimit të ndërtesës së ish-biblotekës “Hivzi Sylejmani”, është anuluar.
Ky vendim u mor më 9 mars, sipas njoftimit të komunës.
Në bazë të njoftimit, ky tender u anulua për shkak të shkelje e LPP-së që ka ndodhur në procedurën e prokurimit e cila nuk ka mundur të rregullohet.
Për këtë konkurs, operatorët ekonomik ishin paraparë të shpërblehen në bazë të vendit të parë, të dytë dhe të tretë.
Vendit të parë do t’i ndahej pagesa sipas çmimit që vendoset në projekt ideor dhe zbatues.
Vendi i dytë do të shpërblehej me 3 000 euro dhe ai i treti me 2 000 euro.
Kurse, kompania fituese do të ishte përgjegjëse edhe për hartimin e projektit zbatues.
Ndryshe, objekti i ish-biblotekes “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë qëndron i mbyllur tash e disa vite.
Kuvendi Komunal në fund të vitit 2018 kishte miratuar statusin për t’i hapur rrugë funksionalizimit të këtij institucioni kulturor, duke e kthyer atë në muze.
Por ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim./ KultPlus.com