11 Mars, 2021 - 11:12 am
Agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”, ka shkruar për një soprano kosovare, e cila vullnetarisht po e ofron ndihmën e saj për ta ndihmuar stafin mjekësor dhe pacientët në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë.
Pasi është kujdesur për babanë e saj të infektuar me COVID-19 Baki Jasharin, i cili po ashtu është maestro i Filarmonisë së Kosovës, ajo vendosi t’i veshë mjetet mbrojtëse dhe të kthehet në Klinikën e Pulmolgjisë për të ofruar çfarëdolloj ndihme, transmeton “Klan Kosova”.
“Ju u jepni atyre shpresë kur jeni pranë. Ata e dinë se ju jeni këtu për të ndihmuar”, ka thënë Arta Jashari për “Associated Press”.
Ajo nuk ka të kryer ndonjë trajnim mjekësor, por i ka ndihmuar mjekët në çfarëdo mënyrë që ka mundur, duke ofruar ndihmë për ata që vuajnë në klinikë ose në shtëpi.
Falmur Marku, mjek i mushkërive në Klinikë, ka thënë se e admiron Arta Jasharin, e cila e rrezikon shëndetin e saj për t’ua dhënë një farë ngushëllimi atyre që vuajnë. Ai ka shtuar se në fillim ishte “e vështirë të kuptohet pse po e rrezikon shëndetin e saj”.
Në mbrëmje Jashari i heq masat mbrojtëse dhe bëhet gati për të performuar me Filarmoninë e Kosovës, e cila lejohet të mbajë koncerte me një numër të kufizuar spektatorësh.
Jashari ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, të Berlinit dhe të Lubjanës. Ajo thotë se i mungon intensiteti i një sezoni të plotë me koncerte, të cilat tani mbahen kryesisht me një audiencë shumë të kufizuar.
32-vjeçarja këmbëngul se vullnetarizmi në spital dhe performimi i drejtpërdrejtë për audiencën kanë më shumë gjera të përbashkëta sesa që mund të mendohet.
“Të dyja ato japin aq shumë shpresë dhe emocione”, thotë ajo. / KultPlus.com