22 Shtator, 2023 - 5:07 pm
Shtëpia Botuese Bard Books sapo ka nxjerrë nga shtypi librin poetik “Shënime nga shpella” të Ag Apollonit. Libri fillon me një letër drejtuar politikanëve nga filozofi Heraklit, i njohur si “filozof i errët” dhe “filozof i shpellës”. Kjo letër, në të cilën filozofi i lashtë grek shpreh bindjet e tij kundër politikanëve dhe sistemit politik të turmës, është shkruar si një poemë filozofike që hedh paralele me aktualitetin. Pas kësaj letre antipolitike, janë dy letra drejtuar korintasve, nga koha e sotme, duke ironizuar letrat e Shën Palit. Po ashtu, një cikël i veçantë trajton temën e incestit si tabu të thyer shpesh nëpër histori.
Ky është një libër ku trajtohen motive politike, religjioze, erotike dhe, mbi të gjitha, filozofike.
Ag Apolloni është shkrimtar dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon nga viti 2008. Gjatë viteve 2010-2012, ka drejtuar revistën letrare Jeta e Re, ndërsa nga viti 2013 drejton revistën për studime kulturore Symbol. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë, janë shpërblyer me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe janë përfshirë në kolana të autorëve më të njohur bashkëkohorë evropianë. Libri “Shënime nga shpella” është libri i tij i katër me poezi (pas librave “Zomb”, “Sandalet e Senekës” dhe “Retorika e heshtjes”), ndërsa i gjashtëmbëdhjeti në krijimtarinë e tij, ku përfshihen edhe studimet, dramat dhe romanet si: “Ulurima e ujkut”, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” etj.
Për botimin e librit ka njoftuar edhe vetë autori Apolloni nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Më në fund, po i kthehem fillimit: Heraklitit. ‘Sandalet e Senekës’ e pata shkruar si reagim poetik ndaj politikanëve që si Neroni e shkatërruan shtetin dhe shoqërinë. Gjithsesi, më duhej një filozof më i madh për t’i vënë pasqyrën politikës aktuale. Kështu që e mora Heraklitin. (Filozofinë e kam dashur për shkak të Heraklitit; ai më ka mësuar shumçka që filozofët e mëvonshëm nuk kanë mundur. Pas Heraklitit, një filozof tjetër uragan ka qenë Niçe. Të gjithë të tjerët janë mes tyre. Nejse. Ky është debat për tjetër here). “Shënime nga shpella” për disa mund të jetë libër skandaloz, për mua është libër që s’njeh tabu etike, politike, apo religjioze. Është libër heraklitian: antireligjioz, antipolitik, anti-etik. Nuk është i përshtatshëm për t’u lexuar në kishë, as në xhami; në Kuvend, as në Qeveri; në sokak, as në shtëpi. Përndryshe, duke e lexuar, disa do të djersiten, disa do të turpërohen, e disa do të tërbohen. S’kam çka bëj: zaret u hodhën.”, ka shkruar Apolloni.
Ndërkaq, Librin “Shënime nga shpella” e botoi shtëpia botuese Bard Books, dhe nga sot e gjeni nëpër libraritë e Prishtinës./KultPlus.com