3 Janar, 2021 - 9:28 pm
Shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni ka shpalosur detaje për vëmendjen institucionale ndaj personazheve të librit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, shkruan KultPlus.
Përderisa Ferdonije Qerkezi dhe Pashkë Marku janë protagonistet, mbi historitë e të cilave shtrihet rrëfimi në romanin dokumentar të Apollonit, ai ka përmendur se Qerkezi ka përmendur Mimoza Kusarin për mbështetje, ndërkaq Arbërie Nagavci ka propozuar që një rrugë të merr emrin e Pashkë Markut.
Në anën tjetër, Ag Apolloni ka theksuar se pala kosovar ishte viktima në luftën me Serbinë dhe se duhej të kishim një diskurs lirik ndaj tradegjisë së vendit tonë.
KultPlus ua sjell të plotë statusin e Ag Apollonit:
NE ISHIM VIKTIMA
Derisa shkruaja romanin antiepik, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, kam lexuar, shfletuar e shikuar shumë materiale që lidheshin me temën e të pagjeturve dhe me pasojat e luftës. Nuk do të flas për këtë. Por, dua të them që nga fotografitë dhe fjalët e Ferdonijes (që ka humbur katër djemtë dhe burrin), më së shpeshti ma ka zënë syri dhe veshi Mimoza Kusarin, për të cilën zonja që është simbol i tragjedisë flet gjithmonë me fjalë falënderuese. Ndërsa, për rastin e zonjës Pashkë (e cila dogji veten, pasi ia kthyen mbetjet e dy djemve të vrarë), sipas fjalëve të familjarëve të këtij simboli të sakrificës, është interesuar vetëm Arbërie Nagavci, e cila ka propozuar që edhe një rruge t’i lihet emri “Pashkë Marku”.
Nuk do të doja që përmendja e këtyre dy grave politikane të shihet si anim politik (sepse, më falni për injorancën, por nuk e di nëse ato i përkasin së njëjtës parti, apo nëse partitë e tyre janë në të njëjtën vijë), por si një thirrje për një involvim më të madh të grave në vendimmarrje, sepse kështu do të shtohej ndjeshmëria ndaj tragjedisë sonë të përbashkët, ndërsa diskursi lirik (që tek ne është karakteristik për gratë) do ta zëvendësonte diskursin epik (që tek ne është karakteristik për burrat), që po na e zë frymën prej më shumë se njëzet vjetësh. Sikur nga viti 1999 të ishim shprehur me fjalë lirike për ndodhitë tragjike, siç bënë hebrenjtë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, sot Haga do t’i gjykonte vetëm serbët. Por, kemi folur në mënyrë epike, duke u mburrur se “çka iu kena bo shkive”, e Beogradit zyrtar i konvenuan këto rrena, dhe kështu i ndërruan rolet: xhelatët u kthyen në viktima, viktimat në xhelatë.
Me këtë desha të them që duhet patjetër të pozicionohemi aty ku e kemi vendin, pra si viktima, jo aty ku kemi qejf, si heronj. Se heronjtë e rremë kthehen lehtë në xhelatë. Uroj të shtohen zërat lirikë, për ta ngritur zërin në mbrojtje të viktimave të vërteta, pra në mbrojtje të së drejtës. / KultPlus.com