14 Maj, 2020 - 10:00 pm
Nga Ardian Vehbiu
Është bërë publik një “Projektvendim” i Bashkisë së Tiranës, i nënshkruar nga kryetari Erion Veliaj, për “shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar,” si akt i fundit i një drame të fundit që po luhet në truallin e atij Institucioni. Tani që pronësia mbi truallin u transferua, si një letër bixhozi çfarëdo, nga njëra dorë autoritare në tjetrën, me sa duket vullneti i asaj pjese të shoqërisë civile, që kërkonte dhe aq gjatë luftoi për ruajtjen e ndërtesës, do të shpërfillet përfundimisht.
E kam shkruar më parë (NJË ZGJIDHJE PËR TEATRIN) dhe po e përsërit, se arsyet teknike që janë sjellë për amortizimin e ndërtesës së Teatrit, përligjin ndërhyrjet restauruese nga ana e “pronarëve” të saj, por jo prishjen. Ndërtesa mund të ngrihej nga e para, mbase edhe me teknologji të ngjashme, pa i prekur asgjë formës së saj, strukturës, konfigurimit, manipulimit që ajo i bën hapësirës, raporteve që ka vendosur me publikun në kohë dhe me qytetin; dhe pamjes në kontekstin urban të qendrës së Tiranës. Edhe pse arkitektë dhe historianë të kulturës kanë vënë në dukje vlerat edhe historike të ndërtesës si të tillë, mbase vjetrimi i saj mund ta përligjte restaurimin me themel – por jo prishjen.
Rrafshimi i këtij monumenti kulture dhe simboli për jetën kulturore të Shqipërisë dhe zëvendësimi i tij me një ndërtesë tjetër, si gjest tipik modernist i krahasueshëm me prishjen e Stadiumit Kombëtar dhe të monumenteve të tjera urbane në Tiranë është edhe më fashist, për nga frymëzimi dhe filozofia, se motivet që patën çuar në ngritjen e ndërtesës dikur.
Vlerat dhe magnetizmin selisë së Teatrit Kombëtar nuk ia kanë dhënë materialet e përdorura nga ndërtuesit fillestarë, por ngjarjet kulturore që kanë ndodhur aty, në rrjedhë të viteve dhe që i kanë blatuar një aurë të vyer, e cila nuk do të mund të zëvendësohet dot. Por restaurimi i imtë i ndërtesës, për t’ia ruajtur formën dhe strukturën, do t’i jepte asaj selie një jetë të re, për shekullin XXI dhe më pas.
Përndryshe, “shembja” tani e ndërtesës së Teatrit, kësaj copëze të Tiranës kulturore ku për dhjetëra vjet u ruajt sadopak diçka e mirë dhe e çmuar, në mes të së keqes, vjen edhe si konkluzioni logjik i kitsch-it kulturor të pashembullt, me të cilën u trajtua trashëgimia kulturore në Shqipëri, nga dyshja Rama-Kumbaro.
Që një institucion i pushtetit lokal, si Bashkia, merr tani një vendim për SHEMBJEN e një monumenti kulture, kjo nuk mund veçse të konfirmojë se pushteti i sotëm vazhdon ta adoptojë SHEMBJEN si politikë kulturore dhe urbane të dorës së parë – në bazë të një filozofie të zëvendësimit të vlerave që është pak ta quash të gabuar.
Qendra e Tiranës së sotme është ndarë më dysh mes gërdallave dhe monumenteve të degraduara, nga Pallati i Kulturës te Hotel Dajti dhe Piramida; dhe kontributeve të reja arkitektonike, herë të mbaruara dhe herë të pambaruara, që nuk i thonë asgjë qytetit, sepse nuk arrijnë të hyjnë në lidhje as mes tyre, as me Tiranën ekzistuese. Nuk krijojnë dot as kontekst, as sintaksë. Janë firma e shumicës në pushtet mbi një shgarravinë, që është projekti i tyre për Tiranën nesër. Prandaj te ky obsesion politik nuk mund të mos shohësh dëshpërimin e një projekti, atij të Rilindjes, të dashuruar pas shembjeve dhe tabula rasa-ve; dhe që nuk ka ditur dhe as ka dashur të komunikojë me shoqërinë civile, përveçse me arrogancë.
Këta që do të shembin nesër selinë e Teatrit, nuk e kanë inatin me një ndërtesë historike me gjasë të amortizuar dhe të papërshtatshme për funksionin që duhej të kishte: synimi i tyre është t’i tregojnë publikut të kulturës dhe gjithë qytetarëve se janë gati PËR TA SHEMBUR çdo lloj kundërshtimi sistematik, që u bëhet politikave të tyre, në kulturë dhe gjetiu.
Theksi është pra te SHEMBJA, jo tek Teatri. Prandaj edhe te vendimi bashkiak i tanishëm, sikurse tek i gjithë gjakimi politik që i ka paraprirë, nuk ka asnjë shenjë dashurie për Tiranën, teatrin dhe kulturën bashkëkohore në Shqipëri, madje as edhe të llojit paternalist; por vetëm një vullnet të ftohtë, sadist, për të çuar deri në fund dënimin me vdekje të një monumenti që, të paktën për një pjesë të qytetarëve kulturëdashës, ishte shndërruar në simbol të rezistencës ndaj prishjes dhe harresës.
Për shoqërinë civile, përpjekjet e përditshme, disavjeçare, në mbrojtje të selisë së Teatrit Kombëtar shërbyen edhe si shkollë e shkëlqyer për konstituimin e një lëvizjeje qytetare me frymëmarrje të gjerë. Nëse pushteti synon që me prishjen e godinës së Teatrit, ta shembë edhe gjithë ç’ka arritur të ndërtojë kjo lëvizje, si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe sidomos politike në Shqipëri, atëherë shoqërisë civile nuk i mbetet veç të provojë të kundërtën.
Ky nuk është fundi i teatrit si art; teatri tek e fundit mund të luhet edhe në rrugë, edhe në shtëpi, edhe në park, edhe në një fabrikë a magazinë të braktisur, edhe online (në Facebook). Por mbase do të jetë fundi i një konceptimi specifik të marrëdhënieve mes shtetit dhe kulturës, mes shtetit dhe artistëve, mes shtetit dhe kujtesës historike – ose kur do të kuptohet, në masë, se artistët dhe të gjithë operatorët e kulturës duhet ta marrin vetë në dorë atë që u takon, përfshi këtu edhe administrimin e fondeve publike përkatëse. Për të ardhur keq, megjithatë, që një ballafaqim i tillë erdhi si epilog i një programi kulturor të mbrapshtë, të çuar përpara nga një klasë pushtetarësh tek e cila artistët, krijuesit dhe kulturëdashësit patën shpresuar aq shumë në krye.