Apple Watch shpëton jetën e një 92-vjeçari

20 Qershor, 2020 - 7:25 pm

Derisa veçoria e orës së mençur Apple Watch për detektim të rrahjeve të zemrës ka shpëtuar jetën e shumë njerëzve më parë, duket se veçoria tjetër për detektim të rrëzimit po ashtu po funksionon shumë mirë.

Sipas KETV, një fermer 92-vjeçar nga qyteti Grant, Nebraska, duhet t’i falënderohet orës së mençur Apple Watch pasi ia ka shpëtuar jetën, shkruan ubergizmo. 

Fermeri ishte duke ngjitur shkallët për të siguruar një kosh gruri për pëllumbat, por fatkeqësisht kishte erë të fortë e cila shtyu shkallët e tij dhe është rrëzuar në tokë, transmeton KOHA. Pasi ai ishte vetëm, askush nuk mund ta ndihmonte. Atij në ndihmë i doli veçoria e orës së mençur Apple Watch për detektim në rast të rrëzimit e cila ka thirrur Departamentin e Zjarrfikësve të qytetit Grant për ndihmë.

Zjarrfikësit kanë arritur shpejt te fermeri dhe e kanë dërguar në spital menjëherë, ku tani është duke e marrë veten pas thyerjes së ijës dhe disa frakturave të tjera për shkak të rrëzimit nga shkallët në një lartësi prej rreth 6 metrave.

Kjo nuk është hera e parë që veçoritë e Apple Watch-it për detektim të rrëzimit shpëtojnë jetën e njerëzve. Më herët gjatë këtij muaji, është raportuar se si kjo veçori ka shpëtuar jetën e një burri kur ka thirrur 911-shin pasi ka humbur vetëdijen shkaku i rrëzimit.

Detektimi i rrëzimit është veçori e cila aktualisht është e aktivizuar automatikisht për përdoruesit të moshës mbi 65-vjeçare, por të tjerët kanë mundësi që ta aktivizojnë vetë. /KultPlus.com

Të ngjajshme