13 Shkurt, 2023 - 3:01 pm
Arabia Saudite do të dërgojë gruan e parë astronaute në hapësirë, në një mision më vonë gjatë këtij viti, raportoi media shtetërore.
Ky vendim po shihet si një përpjekje për të përmirësuar imazhin ultra-konservator të kësaj mbretërie.
Rayyana Barnawi do t’i bashkohet astronautit saudit, Ali Al-Qarni, në misionin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës “gjatë çerekut të dytë të vitit 2023”, raportoi agjencia Saudi Press.
Astronautët “do t’i bashkohen ekipit të misionin të hapësirës AX-2” dhe nisja e tyre do të bëhet “nga Shtetet e Bashkuara”, tha agjencia.
Ky shtet do të ndjekë hapat e fqinjit të tij, Emirateve të Bashkuara Arabe, që më 2019 u bë shteti i parë arab që dërgoi qytetarë në hapësirë.
Atëbotë, astronauti Hazzaa al-Mansoori qëndroi për tetë ditë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Edhe një shtetas i Emirateve, Sultan al-Neyadi, po ashtu do të udhëtojë drejtë hapësirës më vonë gjatë këtij muaji.
Lideri de-fakto i Arabisë Saudite, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ka tentuar që të përmirësojë imazhin e mbretërisë, duke shtyrë përpara reforma.
Që kur erdhi në pushtet më 2017, gratë janë lejuar që të vozisin dhe të udhëtojnë jashtë vendit pa u shoqëruar nga burrat. Po ashtu, pjesëmarrja e tyre në tregun e punës është dyfishuar, nga 17 në 37 për qind. /REL/ KultPlus.com