9 Tetor, 2021 - 7:00 pm
KultPlus Caffe Gallery, vendi i cili mbledh rreth vetes artistë nga fushat më të ndryshme të artit dhe i shpalos krijimtaritë e tyre artistike, së fundmi ka pritur në takim kandidatin për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të biseduar rreth synimeve, problemeve, brengave, dëshirave e ideve diversive të cilat vinë nga komuniteti artistik e të cilat ngërthejnë me vete edhe probleme të ndryshme, zgjidhjen e së cilave do ta krijoj qeverisja e re, shkruan KultPlus.
Mbrëmë, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër artistësh ku të gjithë kishin ardhur për të dëgjuar nga afër aspektet e qeverisjes së re të kandidatit për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia.
Përmes një diskutimi të përbashkët me komunitetin artistik, ai fillimisht tregoi se relacioni mes komunitetit artistik dhe institucionit duhet të jetë në fokus maksimal duke përfshirë këtu edhe krijimin e disa burimeve të reja në mesin e tyre.
“Është interesant se në Prishtinë sidomos në periudhën e fundit kohore të viteve 80-ta dhe 90-ta, pjesa më e madhe sidomos të nivelit artistik duke përfshirë këtu edhe pikturën, muzikën, leximin, skenën, kanë lindur nga komunitetet dhe fatkeqësisht sipas një pikëpamjeje timen, ka pasur një diskrepancë në këtë relacion komunitet-institucion dhe mendoj se ajo që duhet të fokusohemi është krijimi i disa mekanizmave për burimet e komunitetit artistik dhe institucioneve”, thotë Vitia.
Sipas tij, artistët tek ne nuk e kanë pasur vëmendjen e duhur e në anën tjetër artistët tek ne shpeshherë kanë qenë avangarë në ndryshimin e shumë gjërave të cilat institucionet i kanë ndjekur jo me hapin e duhur.
“Ju përgëzoj për punën por në anën tjetër atë se çfarë e ka bërë Ardianë Pajaziti si drejtoreshë e gazetës KultPlus, si aktivitet i komunitetit artistik, ta realizoj atë dhe ta shtyjë përpara akoma më shumë në aspektin institucional me ide dhe kreativitet nga komuniteti artistik e edhe me ndihmën që vjen nga institucionet. Andaj edhe sot kam dëshirë që të dëgjoj sa më shumë kritika, këshilla e kërkesa të ndryshme”, përfundon Vitia.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpalosi dy aspekte në të cilat do të fokusohet qeverisja e re e për të cilat besohet se do të kanë rezultat.
“Padyshim që jeta e njeriut për nga cilësia, nuk varet vetëm nga aspekti material i gjërave që dhuron dhe merr por edhe nga ai shpirtëror, emocional e intelektual, e kjo lidhet shumë edhe me artin e kulturën ku natyrisht që artistët e njerëzit e kulturës janë vendimtar për mbarë qytetarët. Për të gjithë ata që krijojnë, do të duhej që qeverisja qendrore e lokale e edhe institucionet në përgjithësi të ndihmojnë me sa munden por që në të njëjtën kohë të krijojnë mundësi që në të ardhmen edhe të krijohet dhe prodhohet sa më shumë por aq edhe më mirë. Për këtë qëllim ne besojmë se më së miri është ti ndihmosh ata që tash po punojnë mirë”, thotë Kurti.
Sipas tij, nëse diçka po ecën mbarë mirë atëherë duhet vetëm të ndihmohet në atë drejtim kurse në anën tjetër ndikimi i qeverisjes të tyre si nivel qendror ashtu edhe komunal duhet të jetë njëfarë lloj emancipimi shoqëror për artistët, komunitetin artistik dhe në veçanti lidhjet institucionale që ia mundësojnë qytetarëve ti shijojnë veprat në mënyrë më të rregullt e më sistematike sepse në këtë mënyrë besohet se shndërrohet arti në kulturë.
“Arti ka të bëjë me atë që është e rrallë, e bukura e rrallë. Mirëpo kultura nuk ka të bëjë me rrallësi por me zakonshmëri. Pra si ta bëjmë ne të bukurën e cila është e rrallë në një zakonshmëri të shoqërisë. Andaj besoj se kultura duhet të bëhet më artistike dhe në ndihmë vinë institucionet. Kulturën e kemi por duhet të jetë e bukur në mënyrë që të jetë artistike. Me këto dy aspekte si arti që bëhet kulturë dhe kultura që bëhet artistike, qeverisja qendrore dhe lokale mund të ndihmojnë shumë jo vetëm artistëve por edhe qytetarët që të shijojnë veprat artistike”, shpalos Kurti.
Për Kurtin, është e rëndësishme lidhja e sistemit arsimor me veprat e artistëve tanë për arsye se kur ka një ekspozitë arti, një koncert apo një shfaqje, është e nevojshme që nxënësit e shkollave, studentët e fakulteteve në mënyrë të organizuar e institucionalizuar të bëhen shikues të devotshëm.
“Në momentin kur e sheh produktin final, në të njëjtën kohë fillon dhe vetëdijesimi për përpjekjet dhe mundimet e procesit drejt asaj që e merr në fund vepra. Besoj që Qeveria jonë dhe kryetari i ri do të krijoj një urë qe do të shndërrohet në një urë mes artistëve gjithnjë e më të suksesshëm dhe njësoj shikuesve më të shumtë e më të devotshëm”, përfundon Kurti.
Kështu mes të pranishmëve u diskutua edhe rreth projekteve kulturore në aspektin financiar, mbrojtja e të drejtave autoriale, pronësisë intelektuale të artistëve që krijojnë çdo lloj fushe në art, planin konkret për sallën koncertale, obligimi i fëmijëve për të shkuar në teatër, kinemanë e qytetit, procedurat absurd për projektet kulturore, mundësitë alternative për trajnimin e fëmijëve në aspektin kulturor si p.sh. përdorimi i hapësirave të papërdorura e të braktisura etj.
Kurse krejt në fund, autorja e ekspozitës e cila po qëndron e hapur në KultPlus Caffe Gallery, Qëndresa Krasniqi e dhuroi një pikturë të sajën si shenjë respekti për kandidatin e kryetarit të Prishtinës, Arben Vitia.
Me këtë rast, artistja Alketa Xhafa dhe artisti Burim Kursani dhuruan librat e tyre më të fundit të lansuar në tregun artistik. / KultPlus.com