6 Dhjetor, 2019 - 6:00 pm
Kryetarët e 27 komunave Arbëreshe të Kalabrisë, kanë bërë këto ditë, një apel të veçantë për ndihmë ndaj banorëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri.
Bashkitë dhe komunat kanë publikuar dhe stemat e tyre përfaqësuese, ku bie në sy shqiponja dy krenare, si simbol i shqiptarëve. Ndihma e arbëresheve është emocionuese pasi konfimon edhe një herë shprehjen e rilindasve “Shpirti i arbrit rron”.
“Kryetarët e bashkive arbëreshe të Kalabrisë bashkë me komunitetet e tyre janë pranë popullit shqiptar, që u godit nga një tërmet i fuqishëm në 26 nëntor. Së bashku, shprehin afërsinë me të dëmtuarit dhe qeverinë shqiptare, duke marrë angazhimin për të vendosur në bilancet e komunave të tyre një kontribut në para; duke promovuar mbledhje të ardhurash, nëpërmjet një llogarie bankare të vetme, të cilat do të çohen për realizimin e projekteve përfundimtare; duke ofruar gatishmërinë për të pritur e akomoduar studentë të rinj në nevojë, të zonave të prekura nga tërmeti; duke organizuar aktivitete bamirësie në bashkëpunim me shoqata dhe artistë arbëresh e duke sensibilizuar qytetarët kalabrezë që të kontribuojnë me ndihma”,- thuhet në njoftim.
Deklarata e plotë e komunave arbëreshe:
Kryetarët e bashkive të komunave Arbëreshe të Kalabrisë, që nënshkruajnë këtë komunikatë, u takuan për të vendosur sëbashku nismat që do të ndërmarrin për të ndihmuar popullin shqiptar të goditur nga tërmeti në 26 Nëntor.
Në mënyrë unanime u vendos të:
– Hapet një llogari bankare e vetme që do të publikohet, ku mund të derdhen para në ndihmë të popullit shqiptar të goditur nga tërmeti, për t’u përdorur në veprimtaritë e vendosura;
– Ofrojmë mundësi për të pritur dhe akomoduar student që kanë nevoja të vecanta;
– Organizojmë aktivitete artistike dhe sportive për të mbledhur të ardhura;
– Dedikojmë një kontribut për të prekurit nga tërmeti si administratë bashkie;
– Sensibilizojmë komunitetin arbëresh që të marr pjesë në dhurim; në këtë drejtim mjeshtëri argjendat Gerardo Sacco, me rastin e dhënies së një cmimi nga komuna e Spezzano Albanese, do të krijojë një stoli ekskluzive që do të shitet në ankand dhe, të ardhurat e të cilës, do të çohen për të prekurit nga tërmeti. /konica.al/ KultPlus.com