Arbëreshët vlerësojnë Ruki Kondaj me titullin ‘Ambasadore e Arbërisë’

10 Tetor, 2022 - 11:19 am

Puna e saj në komunitetin shqiptar në Kanada është e pamatshme, por Ruki Kondaj i ka kaluar tashmë kufijtë kohorë dhe hapësinor me misionin e saj patriotik, atë të promovimit të identiteti dhe vlerave kulturore shqiptare. Me një bashkëpunim të shkëlqyer me një tjetër grua të rëndësishme shqiptare, studiuesen arbëreshe Lucia Martino ato kanë realizuar një sërë projektesh që përfshijnë komunitetet shqiptare, andej dhe këtej oqeanit, në Evropë e Amerikë.

Pikërisht për këtë punë të madhe e të palodhur pak ditë më parë Komuna e Frascinetos e ka vlerësuar Ruki Kondaj me titullin ‘Ambasadore e Arbërisë’ me motivacionin: “Për kontributin e saj të lavdishëm në promovimin e kulturës arbëreshe në botë”. Çmimi ju dorëzua nga kryetari i bashkisë Angelo Catapano.

Lajmin e ka bërë të ditur vet komuna nëpërmjet një statusi në facebook.

“Dje, më 6 tetor 2022, patëm nderin të takojmë Ruki Kondajn, doktoreshë në shkencat farmaceutike, e cila jeton dhe vepron në Toronto, e cila ka qenë gjithmonë një mbështetëse dhe përhapëse e pasionuar e trashëgimisë sonë etniko-kulturore.

I kemi dhënë titullin ‘Ambasadore e Arbërisë’ për kontributin e saj të lavdishëm në promovimin e kulturës arbëreshe në botë.  Falënderim i veçantë për Lucia Martino dhe shoqatën kulturore “Vorea”.

Kush është Ruki Kondaj

Ruki Kondaj, intelektualja shqiptare në Kanada e njohur gjerësisht në Diasporë e kudo si promovuese e fuqishme e vlerave kombëtare e kryesisht si bashkëautore dhe lobuese e Ligjit të Trashëgimisë Shqiptare në Parlament të Ontarios, aprovuar më 5 dhjetor 2016.

E para shqiptare në Kanada e nderuar me medaljen “Queen Elizabeth II Diamond Jubilee Award,  ( Medalje Diamanti e Kurores së Mbretëreshës Elisabet II) nga Governatori i përgjithshëm i Kanadasë në nëntor 2012.

Ruki Kondaj është Presidente Nderi e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze (SHBSHK), Kryetare e Grupit të Trashëgimisë pranë SHBSHK dhe Zv/Presidente e Këshillit të Europës Qendrore e Lindore në Kanada(CEEC). Gjatë periudhës 2010-2015  ka qenë presidente e SHBSHK. Prej vitit 2017 ajo është gjithashtu Koordinatore e Diasporës për shoqatën mbarëshqiptare “Mbreteresha Teuta” me qendër në Zagreb-Kroaci.

Kondaj ka një karrierë të pasur profesionale si brenda Shqipërisë  edhe  jashtë saj në Kanada, në vendin ku ajo ka zgjedhur të jetojë.

Mban gradën shkencore Doktore e Shkencave  farmaceutike nga Universiteti i Tiranës, Master Ndërkombëtar për Politika, Menaxhim dhe Ekonomi shëndetësore nga Universiteti Bocconi, Milano, Itali dhe një diplomë kanadeze me “Distinction” për Çështjet Rregullatore të Farmaceutikës, nga Instituti i Teknologjisë Farmaceutike në Toronto, Kanada.

Është anëtare e Bordit të Ministrisë së Shëndetësisë në Ontario për kolegjin e Dietologjisë. Konsulente për krizën siriane, studiuese, menaxhere projektesh, lektore dhe autore e bashkëautore e një numri të madh publikimesh si libra, artikuj, raporte shkencore etj. në fushën e shëndetësisë dhe farmaceutikës si dhe anëtare e disa shoqatave profesionale dhe bordeve shkencore në Toronto e jashtë Kanadasë

Kondaj është e para shqiptare në Kanada, nderuar me Medaljen Queen Elisabeth II Diamond Jubilee Award në nëntor 2012 ( Medalje Diamanti e Kurorës Mbretërore). Është nderuar nga SHBSHK si Gruaja Shqiptaro Kanadeze e Vitit 2010, Anëtare Nderi e SHBSHK nga viti  2013 dhe Presidente Nderi e SHBSHK nga viti 2015.

Në nëntor 2016 në kuadër të Samitit të Diasporës mbajtur në Shqipëri nderohet me Trofeun e Shqiponjë së Artë nga qeveria shqiptare. Është nderuar dhe nga disa shoqata në Shqipëri e jashtë saj në dhjetor 2016 nga  Albanian Excelence (AE) me qendër në Tiranë, Shqipëri. Në nëntor 2016 është nderuar si Gruaja Elite në Botë nga Gruaja Shqiptare në botë (GSHB), me qendër në Shqipëri, nga Shoqata Laberia “Nder i Kombi”, si Personalitet i Shquar i Laberise, me çmimin e Mbretëreshës Teuta nga Klubi mbarëkombëtar i Grave “Mbretëresha Teuta me qendër ne Zagreb, Kroaci etj.

Kondaj është iniciatore, lobuese dhe Kryetare e grupit të punës së Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, Kanada,  një proces i çelur në nëntor 2014 në Parlament të Ontarios i cili  përfundoi me sukses si  ligj  në Parlamentin e Ontarios më 5 Dhjetor 2016, ku nëntori u shpall “Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, Kanada,  firmosur nga përfaqësuesi i mbretëreshës me 8 dhjetor 2016.

Ajo vazhdon të punojë me këmbëngulje së bashku me shoqatat në provinca për të njohur  Ligjin e Trashëgimisë shqiptare edhe në nivel Kanadaje ku faza e parë ka kaluar më 31 maj 2017 në Parlament të Kanadasë.

Ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Mjekësisë, dega Farmaci.  Për një kohë të gjatë ka punuar në fushën e industrisë farmaceutike, si dhe në Institutin e Sigurimeve Shëndetësore. Më pas emërohet koordinatore për shëndetësinë dhe mjedisin në Këshillin e Ministrave, kohë që përkon me krizën kosovare (1999), ku ajo ishte një nga drejtueset kryesore të shëndetësisë bashkë me përfaqësuesit e OBSH-së.

Në vitin 2000 kreu studimet për Master Ndërkombëtar për Politika, Menaxhim dhe Ekonomi shëndetësore në Universitetin Bocconi, Milano, Itali. Pas diplomimit merr detyrën e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë. Në vitin 2001 ka përfaqësuar Shqipërinë në marrëveshjen e parë rajonale për shëndetësinë në kuadër të Paktit të Stabilitetit në Dubrovnik, Kroaci. Kondaj ёshtё firmëtarja e parё e kёsaj marrëveshje.

Në  mars 2003, ajo  ka  përfaqësuar Ministrinë e Shëndetësisë  në inicimin e Raportit Botëror mbi Dhunën dhe Shëndetin, me pjesëmarrje të ministrave të rajonit dhe me organizimin e OBSH-së dhe  zyrtarë të lartë në Zagreb, Kroaci si dhe në shumë aktivitete vjetore të OBSH-së në Gjenevë e vende të tjera.

Në vitet 2001-2007, ka dhënë mësim si pedagoge e jashtme në Departamentin e Farmacisë dhe Shëndetit Publik të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu, ka dhënë mësim për pak kohë edhe në Universitetin e Tetovës në lëndën “Menaxhimi shëndetësor”.

Me ftesë të Universitetit të Torontos, ajo organizon dhe koordinon një network ballkanik për shëndetësinë, inauguruar në Turqi (maj 2006). Po në këtë vit, krijon në Tiranë qendrën studimore “Qendra për barazi në kujdesin shëndetësor”.

Në prill të vitit 2008 mori gradën shkencore “Doktoreshë e Shkencave Farmaceutike” nga Departamenti i Farmacisë së Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.

Nё 2008, Kondaj pranohet midis 50 anëtarëve të Komitetit Ndërkombëtar të “Qendrës Botërore të Shëndetit” me qendër në Bruksel, iniciativë e lansuar nga Parlamenti Europian në ditën botërore të shëndetësisë.

Nё vitin 2009, mori diplomën pasuniversitare “Distinction” për “Çështjet Rregullatore të Farmaceutikës”, nga Instituti i Teknologjisë Farmaceutike në Toronto.

Nё vitin 2010 boton librin “Sfidat e farmaceutikës”, është një punim që u vjen në ndihmë profesionistëve shëndetësore e veçanërisht atyre të fushës se farmaceutikës dhe studenteve te farmacisë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Më 6 qershor 2010 promovon librin e saj “Sfidat e farmaceutikës”, mes një grupi kolegësh e profesionistësh në Toronto, Kanada dhe sipas dedikimit në libër e dhuroi në 4 universitete.

Në qershor 2012 Dr.Kondaj e dhuroi librin në Universitetin e Tetovës përmes një promovimi të organizuar nga vetë rektorati i këtij universiteti, po në Qershor 2012 ajo e dhuroi librin në Universitetin e Tiranës, ndërsa  në Universitetin e Vlorës libri u dhurua përmes një promovimi të organizuar nga rektorati i këtij universiteti së bashku me bibliotekën  e universitetit.

Dhurimi i fundit i librit të saj u realizua në tetor 2014 edhe në Universitetin e Prishtinës me një promovim të  organizuar nga Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë.

Vazhdon të punojë me këmbëngulje e profesionalizëm si në profesion  ashtu edhe për promovimin e vlerave kombëtare nëpërmjet shoqatës ku ajo aderon për vite me radhë. / Diaspora shqiptare /KultPlus.com

Të ngjajshme