Architech Festival me diskutim publik për hapësirat publike në Ulpianë  

28 Tetor, 2022 - 12:57 pm

Të hënën, Architech Festival Edicioni III do të prezantojë një diskutim publik me fokus se sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë, që do të mbahet në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, diskutim që do të nisë në 17:30, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë njoftuar se diskutimi publik do të bëhet me të rinjtë, banorët dhe komunën mbi temën ‘se si të bëjmë Ulpianën mjedis më gjithëpërfshirës, i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm’.

Diskutimi publik është një nga aktivitetet përmbyllëse të Architech Festival Edicioni III që synon të mbështesë të rinjtë në qeverisjen e mirë lidhur me planifikimin hapësinor dhe (ri)dizajnimin urban, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.

Në këtë diskutim publik ndër të tjera do të prezantohet/publikohet raporti hulumtues dhe të dhënat e dala nga ky raport për lagjen e Ulpianës, do të prezantohen para qytetarëve dhe komunës projektet propozimet mbi nevojat e qytetarëve të dala si rezultat i rekomandimeve.

Në anën tjetër do të flitet edhe për realizimin e dy nga projekteve brenda këtij viti dhe për projektet më afatgjata prej 1 deri në 5 vitet e ardhshme për lagjen Ulpiana.

Në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, drejtoresha e hapësirave publike Donika Çetta, Kosovare Sadiku, drejtoreshë ekzekutive e OJQ “YARL” dhe Besarta Halimi nga OSBE.

Architech Festival Edicioni III fton të gjithë të interesuarit që të jenë pjesë e këtij diskutimi, duke shijuar bashkë prezantimin dhe kafenë e pasdites. / KultPlus.com

Të ngjajshme