“Ardhja e saj, hedh poshtë shpifjet mbi persekutimin e klerikëve”

16 Korrik, 2021 - 9:30 am

Pjesa e dytë

Publikohen disa dokumente me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra së fundmi, nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën. Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i de klasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkëatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkomëtar!

Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.

Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.

Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.

Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!

Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.

Vijon nga numri i kaluar

Relacioni i ambasadës shqiptare në Romë për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, me teksti i një emisionit televiziv, realizuar për Nënë Terezën

Emisioni televiziv

Nënë Tereza Viti 1989

Dosja 1204

Nënë Tereza…Shqiptare… lindur në qytetin e Shkupit, në vitin 1910. Janë dy motra dhe një vëlla. Emri i saj i vërtetë është Gonxhe, mbiemri Bojaxhiu. E ëma dallohej për një karakter të fortë dhe dhimbsuri të madhe. Gonxhja e vogël, një fëmijë i shkathët, plot gjallëri e gëzim.

Babai i saj merrej me veprimtari ndërtimi. Vdiq shumë i ri në moshën 42 vjeç. Familja mbeti në varfëri të madhe.

Gonxheja ishte 18 vjeç, kur shkoi jashtë atdheut në seminarin “Motrat e San Loretos”. Bashkë me të emigroi edhe i vëllai. Qëndruan në Shqipëri nëna dhe e motra Age. Të dyja bashkë kanë vdekur disa vite më parë.

Në seminar Gonxhe Bojaxhi, dallohet për koherencë mendimi dhe veprimi, për studim të apasionuar dhe për dashurinë ndaj shoqeve.

Më 6 janar të vitit 1929, Gonxheja, dërgohet nga Seminari në Kalkuta të Indisë dhe pikërisht në Entali, një distrikt i Kalkutës, ku dha mësimin e gjeografisë në degën vendase të kolegjit të “Motrave Loreto”. Në Kalkuta, si mësuese por në radhë të parë si njeri, ajo u njoh me varfërinë e vërtetë, me Indinë e vdekjeve nga uria, të mjerimit dhe me fatin e zi të qindra mijra të pastrehëve dhe të papunëve.

Natyra e saj humane u ndikua së tepërmi nga ky realitet i hidhur. Dashurinë për nxënëset dhe kolegët ajo e shtriu më tej. Në zemër dhe mendjen e saj, hodhi rrënjë ndjenja se si qenie njerëzore, ajo duhet të bënte edhe personalisht diçka më tepër për njeriun, për njeriun e varfër, të sëmurë, të pambrojtur.

Kjo ndjenjë e kthyer tashmë në qëllim final i dha kurajën e duhur që në shtator të vitit 1948, ajo të largohej nga “Motrat Loreto” dhe t’i dedikohej bamirësisë, ishte 38 vjeç izoluar në një spital në Bejrutin Perëndimor. Përpjekja e saj pati sukses. Fëmijëve i’u dha asistenca e duhur. Këto pamje prekëse tingëllojnë si një thirrje, për paqe në një Liban, ku zhurma dhe zjarri i artilerisë po shkreton për ditë e më shumë jetën njerëzore.

Mbase – thotë ajo në këtë takim në Universitetin Harvard, këtu në Amerikë, nuk është problem tek varfëria ekstreme e kafshatës së bukës, por këtu ka me miliona njerëz që nuk ndjejnë gjatë tërë jetës, afeksionin njerëzor. Kjo është varfëri edhe më e madhe. Bamirësia shpirtërore dhe material, bamirësia e ndjerë dhe e kryer në emër të dashurisë së pastër për njeriun, bamirësia e mbrujtur me një mendim të thellë human, të cilin vetë ajo e shpreh me fjalët tepër të thjeshta, iu shpërblye Nënë Terezës nga një opinion në shkallë botërore:

Janë çaste të dhënies së çmimit “Nobel” për veprën e saj bamirëse. Një symbol që shpreh mirënjohje nga mijra vetë, të cilët janë përpjekur t’i ndihmojë në prag të vdekjes, apo në ekstremin e urisë, e milionave të tjerëve që, në vobektësinë e tyre të varfërisë, të lebrës, malaries, të braktisjes dhe pasigurisë për të nesërmen, shohim tek veprimi i Nënë Terezës, një akt dashurie për njerëzimin që sfidon sadopak padrejtësitë e mëdha të shoqërisë.

Tani, në moshën 79 vjeçare, Nënë Tereza, bën këtë udhëtim në atdheun e saj, të prekë tokën, të shohë varret e nënës e të motrës, të njihet me një realitet që mbi të gjitha e çmon dhe ngre lart vlerat e njeriut.

Ky tren për Kalkuta do ta çonte atë drejt stacioneve të shumta të njerëzimit, urisë dhe vdekjes. Vendoset në një nga lagjet më të varfra, në këtë ndërtesë modeste. Pranë ka disa nga ish – nxënësit e saj. Në këtë periudhë, India ndodhej në valën e turbullirave nacionaliste. Pasojat e Luftës civile: mijëra refugjatë që vdesin rrugëve.

Nënë Tereza, ky është tani emri me të cilin e njohin të gjithë, përpiqet të gjendet pranë sa më shumë njerëzve që vdesin nga uria, të ndihmojë, me fjalën e mirë, me dorë të dhembshur, me ndonjë ushqim e ndihma mjekësore.

Krijohet kështu qendra e bamirësisë në Kalkutën e mjerimit. Është një organizatë modeste por që ka një statut të vetin dhe një moto humane: “Nuk ka rëndësi se sa bën dhe sa jep për të vobektin, rëndësi ka sa ndjenjë sinqeriteti dhe dashuritë për njeriun, fut në veprimin tënd”. Përsa i takon fondeve të organizatës, sipas statutit, burimi i vetëm janë lëmoshat e njerëzve të veçantë, jo të qeverive, organizatave të tjera apo edhe kishës.

Pranohen vetëm kontribute individuale:- Njeriu për njeriun – një filozofi bamirësie që në sajë të Nënë Terezës, filloi gradualisht të përhapë jo vetëm në Indi por edhe në vende të tjera të botës, ku varfëria dhe mjerimi bëjnë kërdinë. Duke patur gjithmonë qendrën në Kalkuta të Indisë, ajo ndërmerr disa udhëtime, në vende të Amerikës Latine, në Afrikë por edhe në Evropë e në SHBA, në zona të tilla si lagja e varfër “South Bronx” e New York.

Edhe në Libanin e dërrmuar nga plagët e luftës, Nënë Tereza ndërmerr një veprim human. E ndodhur këtu gjatë periudhës kur trupat izraelite kanë rrethuar Bejrutin pak vite më parë, ajo ndërhyn me autoritetin e saj për një pushim zjarri disa orësh, në mënyrë që njerëzit e kryqit të kuq t’ju japin ndihmë disa fëmijëve sakatë.

Relacion i ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me të dhëna biografike për Nënë Terezën, të nxjerra nga libri që i kushtohet asaj

R.P.S.SH.

Ministria e Punëve të Jashtme Romë 10 qershor 1989

Ambasada – Romë

Nr.370

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

(Drejtorisë së Parë)

T I R A N E

Bashkangjitur ju dërgojmë librin mbi Terezën e Kalkutës dhe një shënim të shkurtër mbi jetën e aktivitetin e saj.

Nënë Tereza e Kalkutës ose Anje Gonxha Bojaxhiu, lindi më 27 gusht 1910 në Shkup. Mori edukim fetar që në rini dhe më 1928, familja e dërgoi në Irlandë në Kongregacionin e suorave misionare të Loretos. Pasi mbaroi shkollën fetare, u dërgua në Indi dhe punoi për 20 vjet si mësuese në kolegjin fetar, të suorave të Loretos në Kalkuta.

Në 1948 u lirua me kërkesë të saj nga kolegji për t’u marrë me kurimin e të varfërve, lebrozëve dhe të njerëzve të lënë rrugës, gjithnjë nën kujdesin e kongregacionit të Loretos. Bëri tre muaj kurs mjeksie, pranë misionit fetar amerikan në Patn… dhe pas kësaj u kërkoi autoriteteve të Kalkutës ndërtesë për ta përdorur për mjekimin e të pastrehëve dhe të sëmurëve.

Me 1950 u formua nën drejtimin e saj, kongregacioni femëror me emrin “Misionare të bamirësisë” që e ruan edhe sot, këtë emrin dhe ajo konsiderohet si themeluese. Më 1963, këtij kongregacioni iu shtua dhe krahu i bamirësve meshkuj. Sot ky kongregacion “bamirësie” ka një shtrirje thuajse në të gjitha kontinentet. Ky kongregacion, krahas anës fetare, mbështetet në veprat e bamirësisë, konsiderohet si ndihmues i të varfërve, jetimëve, njerëzve të abandonuar, njerëzve me fatkeqësi, në vetmi, sëmurëve, etj.

Moto e këtij kongregacioni është rifitimi shpirtëror i njeriut edhe në momentet e fundit të jetës. Tereza i mësoi misionareve të saj moton: “Fëmijëve, të varfërve, të gjithë atyre që vuajnë, u ofroni gjithnjë një buzëqeshje të lumtur. U jepni atyre jo vetëm kursimin por dhe zemrën” që u bë e pranueshme nga të gjitha misionet e bamirësisë në shërbim të veprës fetare të kishës.

Qeveria indiane më 1963 i dha çmimin “Padmashri”, për paqe dhe më 1972, “Çmimin Nehru”. Më 1963 qeveria filipinase i dha çmimin “Magsaisa” dhe e shpalli “gruaja më e merituar e Azisë”. Në 1971 SHBA, i dhanë disa çmime për paqe, ndërsa Universiteti Katolik amerikan i dha laurën e nderit. Më 1973 iu dha çmimi “Ambrogino i artë” i qytetit të Milanos, ndërsa në 1974 i’u dha çmimi “Nëna universale” nga qendra e orientimit të emigrantëve, nga Universiteti Fetar i Kanadasë, iu dha laura e nderit dhe në 1979, iu dha çmimi “Nobel” për paqen.

Drejton aktualisht kongregacionin e “misionarëve të bamirësisë” dhe udhëton në të gjitha vendet, ku ka misione dhe qëndrat e tyre. Tre vjet më pare, ajo telefonoi direkt në ambasadë dhe shprehu dëshirën për të vajtur në Shqipëri, si vizitore e thjeshtë, për të bërë homazh në varrin e nënës së saj (të atin tha se ja kanë vrarë serbët). Në atë kohë edhe ambasadori italian pranë FAO-s, kërkoi që Tereza të vijë për disa ditë në Shqipëri. Kohët e fundit, shumë arbëreshë kanë përsëritur dëshirën e Terezës për të shkuar në Shqipëri, për të parë tokën e të parëve të saj.

Ndërmjet të tjerëve edhe prof. Catapano ka biseduar me Gonxhe Bojaxhiun dhe na ka sjellë dëshirën e saj. Sipas tij, ajo kërkon të vijë në Shqipëri si çdo vizitor, jo nën petkun fetar, jo me bujë, për të parë varrin e nënës së saj, para se të vdesë. Prof. Catapano, thotë se është gati që ta shoqërojë, gjatë vizitës private në Shqipëri.

AMBASADORI Q. T.

(Dashnor Dervishi)

Informacion i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, dërguar Ministrisë së Jashtme, lidhur me përgatitjen e vizitës të Nënë Terezës në Shqipëri

Drejtoria e Parë

I n f o r m a c i o n

Viti 1989

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve arbëreshë dhe miku i vendit tone, Prof. Giuseppe Del Gaudio, me anë të një letre dërguar ambasadorit tonë në Romë, i shpreh dëshirën e Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiut), për të bërë një vizitë në Shqipëri, “për të puthur tokën mëmë, para se të vdesë”. Në këtë vizitë ajo, do të shoqërohet nga Giuseppe Del Gaudio dhe miku e shoqëruesi i saj Gjergj Gashi.

Nënë Teresa, është një personalitet shumë e dëgjuar sot në botë, për shërbimet e saj filantropike në vendet e varfra të botës si në Azi, Afrikë, Lindjes së Largme, etj. Për veprimtarinë e saj bamirëse i janë akorduar një sërë çmimesh, si: çmimi “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, çmimi “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, çmimi “Ambrogino i artë” nga Milano, çmimi “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi “Nobel” në 1979.

Aktualisht Nënë Tereza, drejton kongregacionin “Misionarët e Bamirësisë”.

Sipas arbëreshëve, miq të vendit tone, Nënë Tereza, përmend kudo me krenari faktin që është shqiptare, nuk ka folur ndonjëherë kundër vendit tonë, gëzon simpati të madhe në rrethet arbëreshe e kosovare, për shkak të origjinës dhe ka kontribuar moralisht e materialisht në mbështetje të çështjes së Kosovës.

Vizita e saj në Shqipëri, theksojnë arbëreshët e kërkuar dhe më parë prej saj, do të shërbente si barrierë ndaj ndonjë fushate të mundshme, kundër të drejtave të njeriut në Shqipëri, nëse ajo do të vdiste, pa u lejuar të shikojë vendlindjen e saj.

Lejimi i Nënë Terezës, për të ardhur në vendin tonë, në kushte kur çështja e respektimit të të drejtave të njeriut, është sot në rend të ditës dhe ka tendencë të vijë duke u rritur dhe më shumë, do të ishte një argument i fortë në dorën tone, për t’iu kundërvënë me fakte sulmeve e presioneve, që na bëhen nga qarqe e organizma të ndryshme armiqësore.

Ardhja e saj në vendin tonë, padyshim që nuk do kalojë pa bujë dhe në këtë kuadër indirekt do bien poshtë dhe shumë nga pretendimet e shpifjet, se në vendin tone, besimtarët e klerikët, persekutohen e vriten. Përpos kësaj, kjo do t’u japë dorë gjithashtu miqve të vendit tone, të na mbrojnë me argumenta, në organizmat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në të cilat nuk merr pjesë vendi ynë.

Efekt pozitiv, mendojmë se do të ketë dhe tek shumë miq e dashamirës të vendit tonë, të cilët kanë simpati për Shqipërinë, pavarësisht nga qëndrimi ynë ndaj fesë. Kjo do të jetë e ndjeshme gjithashtu dhe tek komuniteti arbëresh në Itali, si dhe masën kosovare, për të cilën thuhet se ajo i ka përkrahur.

Ardhja e saj në Shqipëri, mund të shfrytëzohet nga ana jonë për t’i treguar asaj realitetin e vërtetë të vendit tonë, paqen e qetësinë në të cilën jeton populli ynë, arritjet e tij, kujdesin që tregohet për arsimin, kulturën, traditën etj. Do të jetë ky një ballafaqim i realitetit me ç’ka ka shpifur deri më sot Vatikani.

Por natyrisht nuk përjashtohet, që vizita e saj në vendin tonë të shfrytëzohet nga qarqe keqdashëse për të vërtetuar se gjoja dhe Shqipëria, po bën koncesione në çështje parimore, siç është ai i qëndrimit ndaj fesë. Kjo mund të pasohet dhe si pëshpëritje në opinionin tonë, lidhur me fenë, etj.

Në rast se do të bëhet vizita e saj, pa publicitet nga ana jonë, mendojmë t’i organizohet një program i shkurtër vizitash, në qendrat kulturore, historike, e shëndetësore, (duhet pasur parasysh se ajo ka mbaruar studimet, për histori-gjeografi) dhe të shoqërohet nga ndonjë shkrimtar ose studiues, që të zhvillojë biseda e të japë shpjegime të dobishme.

Paraprakisht, organet kompetente, të hetojnë për shtëpinë e njerëzit e afërm të saj në Shqipëri, nëse ka dhe qëndrimin e tyre. Është e logjikshme që ajo, t’i kërkojë t’i takojë ata nëse jetojnë, ose të bëjë vizitë në varret e tyre. Për këtë nevojiten të merren masa sa në parë, për vizitat që mund të organizohen me familjarët, me qëllim që të mos lindë ndonjë problem i papëlqyer./Memorie.al / KultPlus.com

Të ngjajshme