Ardianë Pajaziti: Festivali i Këngës vlerësohet si ëndrra e realizuar e Kosovës

29 Tetor, 2023 - 5:17 pm

Festivali i Këngës nga tri panelistet e para të “Post Festivalit” është komentuar si një ëndërr e kahmotshme e Kosovës. Ato kanë shprehur anët e mira dhe ato të cilat kërkojnë përmirësim në edicionet e ardhshme të ngjarjes.

Drejtoresha e gazetës online për kulture, “Kult Plus”, Ardianë Pajaziti, ka vlerësuar se Festivali i Këngës është gjëja më e mirë që i ka ndodhur komuniteti artistik e Kosovës së pasluftës.

“Të ndërtosh një sallë të shkrumbuar, të largosh hirin dhe të sjellësh artin para mijëra njerëzve që kanë dëgjuar festivalin edhe brenda edhe jashtë sallës kjo është mrekulli”, ka thënë Pajaziti për transformimin e sallës së madhe të Pallatit të Rinisë.

Pajaziti ka thënë se këngëtarëve nuk iu është dhënë hapësira në skenë për nga aspekti emocional. Sipas saj do të duhej që ata të përçonin ndjesitë e skenës.

“Nëse unë do ta organizoja, nuk do ta lija pa ngjitur në skenë Armend Rexhepagiqin dhe Rona Nishliun. Armendi atëherë ka qenë në Jugosllavi në ‘Eurovision’, Rona vazhdon me mbajt kupën, është ende e para sa i përket renditjes së Shqipërisë në ‘Eurovision”, ka thënë Pajaziti.

Gazetarja nga Shqipëria, Sonila Meço, tha se Festivali i Këngës i ka ofruar ndjesinë e spektaklit të ndërtuar mjeshtërisht.

“I thashë Ardianës, Kosova është 15 vjet shtet, mirëpo dje festivali ishte si një zonjë 30 vjeçare që mbi supe kishte përvojën e krijuar ndër vite, por me fytyrë të mirë, e cila rrezatonte limfë dhe gjak të mirë”, ka thënë Meço.

Aktorja e punonjësja e RTK-së, Ardiana Morina, ka thënë se RTK ka realizuar ëndrrën e kamotshme.

“Këto tre netë magjike sollën te publiku i Kosovës personazhe të njohura, emocione të veçanta, ishin personalitete që s’i kishim parë as në RTK as në Kosovë shumë moti. RTK e realizoi festivalin, ëndrrën e kamotshme të Kosovës, sepse me vite të tëra i ka munguar ky festival”, tha Morina./rtk/KultPlus.com

Të ngjajshme