20 Shtator, 2022 - 5:59 pm
Ne jetojmë në një botë ku kompjuterët dhe teknologjia janë pjesë e përditshmërisë së njerëzve. Në anën tjetër, programimi, si një term që po bëhet pjesë e diskutimeve në tavolinat e shumë njerëzve, është një profesion shumë i vështirë në radhë të parë, por edhe emocionues në anën tjetër. E për të qëndruar në majat e industrisë së teknologjisë, duhet të jeni në gjendje të bëni gjëra të reja çdo ditë, e sigurisht të arrini edhe krijimin e gjërave të jashtëzakonshme, shkruan KultPlus.
Kodimi është një aftësi krijuese dhe emocionuese. Të jesh pjesë e një projekti është diçka e veçantë, por ajo që e bën edhe më emocionues këtë profesion është pjesa kur krijon diçka të re, e cila nuk është bërë kurrë më parë.
Pra, është bota e programimit ajo që të jep mundësinë për ta bërë këtë gjë. Ardit Xhaferi, programer me profesion, ka arritur që të zhvillojë gjuhën e parë të programimit në shqip, të kompletuar me interpretuesin “Python”.
I riu nga Kosova, është bërë tanimë personi i parë të ketë krijuar gjuhën e parë programuese në gjuhën shqipe.
Të gjithë rrugëtimin e krijimit të kësaj gjuhe, ai e ka ndarë në një intervistë të realizuar për kompaninë të cilën tashmë ai punon për disa vite, “StarLabs”.
Përmes faqes së tij online “ardit.dev“, ai ka përfshirë edhe një dokument rreth 17 minuta, ku shpjegohet edhe tabela e përmbajtjes dhe pjesa se si të punohet në një gjuhë programuese shqipe.
Xhaferi është një 19 vjeçar i cili punon si programer në StarLabs, derisa kohën e tij të lirë ai e kalon më së shumti duke koduar. /KultPlus.com