Arian Kransiqi shpërfaq kritikën filmike të Anton Pashkut në takimin kulturor ‘Pena e Dritës’

24 Janar, 2025 - 11:58 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në ambientet e bibliotekës “Ernest Koliqi” në Prishtinë, u mbajt ligjërata me titull “Kritika filmike e Anton Pashkut”, e ligjëratën e prezantuar nga dramaturgu dhe skenaristi, Arian Krasniqi. Kjo ngjarje u organizua në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës”, me qëllim të risjelljes në vëmendje të trashëgimisë së pasur të shkrimtarit të madh shqiptar, Anton Pashkut, në muajin e tij të lindjes, shkruan KultPlus.

Gjatë ligjërimit, Krasniqi trajtoi një aspekt më pak të njohur të krijimtarisë së Pashkut – kritikat dhe recensionet filmike të tij. Ai theksoi se Pashku nuk ishte vetëm një prozator brilant dhe dramaturg i pashoq, por edhe një kritik filmi me ndikim të thellë në botën e artit shqiptar.

“Anton Pashku, duke shkruar për filmat e kohës, jo vetëm që dha kontributin e tij në zhvillimin e kulturës dhe kritikës filmike në Kosovë, por gjithashtu ndihmoi në promovimin e një shije estetike dhe intelektuale tek publiku shqiptar,” u shpreh Krasniqi.

Ligjërata filloi me një prezantim të historikut të angazhimit të Pashkut në gazetën “Rilindja”, ku ai filloi të publikonte shkrime për kinematografinë në fundin e viteve 1950. Rubrika “Në kinematë tona”, ku Pashku kontribuoi për mbi një dekadë, u bë një platformë e rëndësishme për kritikën dhe recensionet e filmave.

“Pashku shkroi për një periudhë kur kinematografia ishte në lulëzim në Kosovë. Ai përdori një gjuhë të pasur dhe të kujdesshme për të analizuar strukturën tematike dhe estetike të filmave, duke nxjerrë në pah edhe dimensionet emocionale dhe intelektuale të tyre,” tha Krasniqi.

Ai e quajti Pashkun “një nga prijatarët e kritikës filmike në Kosovë” dhe theksoi se shkrimet e tij janë “jo vetëm një pasqyrë e zhvillimeve të artit të shtatë në botë, por edhe një burim i paçmueshëm për historinë e kulturës shqiptare.”

Gjatë ligjërimit, Krasniqi citoi disa nga shkrimet më të njohura të Pashkut, si kritika për filmin “Ditët kur ndaheshin fëmijët” të regjisorit amerikan Allen Reisner. “Pashku, me aftësinë e tij të jashtëzakonshme analitike, arrinte të përcillte mesazhet e thella të filmave dhe ndikimin e tyre te shikuesit. Ai e përfshinte publikun në një dialog të hapur për vlerat dhe mesazhet që arti mund të sjellë,” vuri në dukje Krasniqi.

Anton Pashku, sipas Krasniqit, kishte një aftësi të veçantë për të analizuar estetikën filmike, duke kombinuar njohuritë e tij të thella mbi strukturën e tregimit me një vlerësim të kujdesshëm të aspekteve teknike dhe artistike të filmit.

“Ai nuk shkroi shumë, por ajo që shkroi ishte e përsosur. Me qasjen e tij kritike, ai hapi shtigje të reja për studimin e filmit në Kosovë dhe më gjerë në kulturën shqiptare,” përfundoi Krasniqi.

Takimi u përshkua nga një atmosferë e veçantë reflektimi dhe vlerësimi për trashëgiminë e Anton Pashkut. Të pranishmit patën mundësinë të ndanin mendimet e tyre mbi ndikimin e tij si shkrimtar, dramaturg dhe kritik filmi./KultPlus.com

Të ngjajshme