29 Qershor, 2023 - 10:00 am
Në qytetin e lashtë romak të Pompeit, arkeologët kanë zbuluar një pikturë që përshkruan atë që mund të jetë pararendësi i picës italiane. Buka e sheshtë e përshkruar në afreskun dymijë vjeçar “mund të jetë një paraardhës i largët i pjatës moderne”, tha ministria e kulturës e Italisë. Por i mungojnë përbërësit klasikë për t’u konsideruar teknikisht si pica, shkruan BBC
Afresku u gjet në sallën e një shtëpie pranë një furre buke gjatë gërmimeve të fundit në vend në Italinë jugore. Zbulimi u bë këtë vit gjatë gërmimeve të reja të Regio IX në qendër të Pompeit, një nga nëntë lagjet ku ndodhet vendi antik.
Ndërtesa u gërmua pjesërisht në shekullin e 19-të përpara se gërmimi të rifillonte në janar të këtij viti – gati 2000 vjet pas shpërthimit vullkanik që përfshiu qytetin.
Arkeologët në parkun e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s thonë se afresku i sapozbuluar që përshkruan bukën e sheshtë, i pikturuar pranë një gote vere, mund të jetë ngrënë me fruta të tilla si shegë ose hurma.
Drejtori i Pompeit, Gabriel Zuchtriegel tha se tregon kontrastin midis një “vakti të thjeshtë” dhe “luksit të tabakave prej argjendi”.
“Si mund të mos mendojmë, në këtë drejtim, për picën, gjithashtu e lindur si një pjatë ‘e varfër’ në Italinë jugore, e cila tani ka pushtuar botën dhe shërbehet edhe në restorante me yje”, tha ai.
Skeletet e tre personave u gjetën gjithashtu pranë furrës në zonat e punës të shtëpisë javët e fundit, shtoi një deklaratë e ministrisë së kulturës.
Shpërthimi i malit Vezuvius në vitin 79 pas Krishtit e varrosi Pompein në hi, duke ngrirë qytetin dhe banorët e tij në kohë. Vendi ka qenë një burim i pasur për arkeologët që nga zbulimi i tij në shekullin e 16-të.
Vendi është vetëm rreth 23 kilometra nga qyteti i Napolit-shtëpia moderne e picës italiane të mbrojtur nga UNESCO./KultPlus.com