28 Prill, 2023 - 7:25 pm
Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Dora d’Istria” vizituan sot Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të projektit “Arkeologu i vogël”.
Fëmijët, të shoqëruar edhe nga mësuesja e tyre, si fillim bënë një guidë në muze. Ata u njohën imtësisht me Pavijonin e Lashtësisë dhe me objektet e zbuluara në vite prej ekspeditave arkeologjike.
Më pas nxënësit u drejtuan për në atrium ku zhvilluan pjesën tjetër të aktivitetit, që kishte të bënte me imitimin e gërmimeve dhe gjetjen e objekteve antike.
Pas gërmimeve, fëmijët vizatuan objektet e gjetura, si dhe plotësuan disa fjalëkryqe me terma që përdoren në arkeologji.
Qëllimi i këtij aktiviteti është, që fëmijë të moshave të ndryshme të vijnë në muze dhe të njihen më nga afër me historinë e vendit tonë. Konkretisht, projekti në fjalë i njeh nxënësit me procesin e gërmimeve që bëjnë arkeologët gjatë ekspeditave të tyre në terren./KultPlus.com