4 Shkurt, 2025 - 2:43 pm
Instituti Italian i Kulturës në Tiranë prezantoi në Bibliotekën Kombëtare – Qendra “Sotir Kolea”, librin “Arkitektja” (L’architettrice) të shkrimtares italiane Melania Mazzucco. Në takim ishte e pranishme edhe autorja Mazzucco.
Libri vjen në shqip nga Ornela Islami, pasi ka marrë vlerësime të shumta në vendin fqinj si: çmimin Stresa 2020, çmimin Giuseppe Dessì 2020, Finalist i çmimit letrar “Rapallo” 2020 për shkrimtaret gra, Finalist i çmimit letrar Corrado Alvaro.
“Arkitektja” rrëfen se si gjeniu Xhovani Briço, i shpërfillur nga shtresa e lartë, më 1964 i mëson së bijës pikturën dhe e hedh në botën e artit. Plautila e ka të vështirë të dalë në pah në mjedisin e artistëve romanë, i sunduar nga Bernini dhe Pietro nga Kortona. Takimi me Elpidio Benedetin, që ëndërron të bëhet shkrimtar, i përzgjedhur nga kardinal Barberini si sekretar i Mazarinit, do t’i ndryshojë asaj jetën. Me ndihmën e këtij bashkudhëtari të pazakontë, ajo do të bëhet shumë më tepër nga sa kishte guxuar të imagjinonte i ati.
Shkrimtarja Melania Mazzucco, teksa rrëfen për lavdi, intriga, dhunë dhe mjerime të qytetit të papëve dhe zjarrminë e një shekulli njëherazi fanatik e libertin, na dhuron portretin e një gruaje të jashtëzakonshme të shekullit XVII, e cila realizoi sipërmarrjen që do të shpërblente një jetë të tërë: ndërtimin e një vile origjinale haresh në kodrën që sundon mbi Romë, të skicuar, projektuar dhe realizuar nga ajo. Kështu ajo u bë Plautila, arkitektja e parë në historinë moderne./atsh/KultPlus.com