25 Prill, 2025 - 5:26 pm
Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit u shpall para disa ditësh pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit.
Gjatë prezantimit të projektit të rilindjes së shkollës “Ismail Qemali” në Shkodër, kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, e cilësoi këtë një lajm shumë të bukur.
Rama theksoi se tashmë jo vetëm me zakon, por edhe me ligj Shkodra i ka dhënë botës një kontribut të drejtpërdrejtë për kulturën e saj.
“Dua të ndaj një lajm të para disa ditëve, që besoj që ju e keni marrë, por është një lajm shumë i bukur për të mos u përsëritur. Është lajmi që arkivi i Dinastisë Marubi u vendos përfundimisht në fondin e trashëgimisë kulturore botërore dhe paskëtaj mund të thuhet jo vetëm me zakon, por edhe me ligj që Shkodra i ka dhënë botës një kontribut të drejtpërdrejtë për kulturën e saj”, tha Rama.
Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin./atsh/KultPlus.com