23 Dhjetor, 2022 - 1:04 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) nga një institucion veçse arkivor do të transformohet drejt një kompleksi të mirëfilltë kulturor. Projekti u paraqit mbrëmjen e djeshme në një aktivitet ku kishte të ftuar zyrtarë por edhe shumë studentë të rinj, që i sollën gjallëri këtij institucioni që po shkon drejt një qendre shumëfunksionale edukimi, duke i bashkëngjitur asaj një Muze Arkivor, një teatër/kinema të hapur dhe një hapësirë studimi rekreative.
Në këtë aktivitet qenë të pranishëm zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjetikës, Belinda Balluku, kreu i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, historianet Valentina Duka, Pranvera Dibra, Esmeralda Kolaneci dhe një grup akademikësh.
Drejtori Bido zbuloi idetë thelbësore që qëndrojnë pas ndërmarrjes së këtij projekti, disa prej teknikave interaktive të Muzeut Arkivor, si edhe ridimensionimin e hapësirës së jashtme të godinës së DPA-së me dy shërbime të reja.
Aktiviteti vijoi me fjalën e rastit të zëvendëskryeministres Balluku, e cila nënvizoi se Arkivat janë thelbësore për një shtet serioz, i cili duke iu referuar dhe mësuar nga e shkuara, do të bënte në të ardhmen atë që duhet. “Digjitalizmi është një kërkesë e përditshme, të cilës i jemi përgjigjur. Të mos harrojmë se të rinjtë janë ata që sjellin inovacionin. Mënyra se si ju jetoni, na detyron ne më të rriturve që t’ju përgjigjemi, duke sjellë modernizimin në disa sektorë”, u shpreh Balluku.
Në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi, vizitorët jo vetëm do të mund të mësojnë mbi të kaluarën e vendit, por do të arrijnë të vihen në kontakt me të. Muzeu do të ketë ekzibitorë elektronikë dhe joelektronike, të cilët do të tregojnë të kaluarën historike përmes një komponenti arkivor. Ndërsa, në formën e një ombrelle elektronike, do të shfaqen në pjesën e sipërme të dhëna mbi veprimtarinë e institucionit. Krahas kësaj ekspozite të përhershme, i është kushtuar një hapësirë e caktuar edhe ekspozitave të përkohshme, të cilat do të trajtojnë fenomene shoqërore, periudha dhe figura historike.
I njëjti temp novator ka prirë edhe idenë për krijimin e hapësirës së studimit në natyrë dhe teatrit/kinemasë së hapur prej 150 vendesh. /atsh /KultPlus.com