3 Prill, 2024 - 2:14 pm
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përkujtoi sot dy kineastë të nderuar të filmit shqiptar. Në faqen online të AQSHF shkruhet se ata krijuan dhe fiksuan në celuloid jetën, njerëzit, punën, peizazhin e Shqipërisë së viteve ’60 – ’80, periudha më e dokumentuar falë punës e përkushtimit të punonjësve të kinematografisë.
AQSHF nderoi sot kujtimin e Adriana Elinit (1937 – 1994) dhe Kristaq Mitros (1945-2023).
Regjisorja Adriana Elini përkujtohet në 87-vjetorin e lindjes. Ajo realizoi dhjetëra filma dokumentarë e kronikalë, ku trajtoi me shumë dashuri e vërtetësi tema të ditës, figurën e punëtorit dhe të fëmijëve, të një Shqipërie që nuk është më.
Regjisorja e disa çmimeve në festivalet e filmit dokumentar, Adriana Elini-Xhajanka i përket brezit të regjisoreve që filluan punë në fund të viteve ’50, por ajo me pasionin e dashurinë për profesionin nga regjisore montazhi kaloi në regjisore dokumentari dhe për mëse tri dekada krijoi vlera në fushën e kinematografisë.
Ajo realizoi rreth 40 dokumentarë artistikë, reportazhe, kronika të ngjarjeve të kohës ku një veçori e saj ka qenë edhe trajtimi i filmit portret ndërmjet të cilit ajo ka “vizatuar” bashkëkohësit e saj.
Ndërsa regjisori Kristaq Mitro u përkujtua në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta. “Kristaqi na ka lënë trashëgimi vepra të mrekullueshme të filmit artistik si “Nusja dhe shtetrrethimi” apo “Dimri i fundit” si dhe ka edukuar breza kineastësh si pedagog në Universitetin e Arteve”, shkroi AQSHF.
Kristaq Mitro, “Artist i Merituar”, është një nga regjisorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, që ka lënë gjurmë në historinë e filmit tonë. Për vite të tëra ka qenë edhe pedagog në Akademinë e Arteve.
Mitro është regjisor i 12 filmave shqiptarë shumë të njohur si, “Kur zbardhi një ditë”, “Tokë e përgjakur”, “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje”, “Telefoni i një mëngjesi” etj./ atsh / KultPlus.com