30 Janar, 2025 - 2:21 pm
Hungaria e parë nga sytë e fotografit Roland Tasho vjen në një ekspozitë, të hapur në hollin e bashkisë së Shkodrës.
Në vizitat e tij në tri dekada në Budapest, Tasho dokumenton kohë dhe vende, miqësinë shqiptaro –hungareze, shqiptarët që jetojnë atje dhe përcjell energjinë e një bashkëpunimi të gjatë.
Në hapjen e ekspozitës, të titulluar ”Aromë Budapesti” ishte e pranishme ambasadorja e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Kryebashkiaku Beci ndau në rrjetet sociale momente nga ekspozita ndërsa thekson se “me ambasadoren Kasnyik ndamë jo vetëm imazhet e fotografive të sjella mjeshtërisht, por edhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona e veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe turizmit”.
“E njoha ambasadoren edhe me disa prej investimeve dhe punëve të nisura tashmë në qytetin tonë”, tha Beci.
Në ekspozitë prezantohen përmes fotografive të Tashos bukuritë e arkitekturës hungareze, diplomatët të veshur me kostume shqiptare dhe pikëtakimet mes shqiptarëve e hungarezëve si monumenti i Skënderbeut apo Nënë Tereza.
Pjesë e ekspozitës janë edhe fotografitë e objekteve të Budapestit, trashëgimia kulturore, pasqyrimi i qytetit mbi lumin që e përshkon etj./atsh/KultPlus.com