29 Nëntor, 2019 - 10:03 am
Krahas telasheve me tërmetin dhe tragjedisë njerëzore nga humbja deri tani e 49 viktimave, policia e shtetit është në punë të shtuar duke bërë hetime se kush media, portal apo person në rrjetet sociale po krijon panik apo poston lajme të rreme.
Pas procedimit penal ndaj ndaj administratorëve të portalit popullor “Jeta Osht Qef”, Ereland Dalliu dhe Gentian Çengeli, policia njofton se ka arrestuar arrestuar një person në Durrës për përhapje paniku . Drejtoria e Antiterrorit arrestoi në flagancë shtetasen Xhuljana Aliaj, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Ja njoftimi i plotë i policisë:
Policia e Shtetit
Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit në vijim të masave të marra për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të atyre personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese, ka vijuar intensivisht punën në evidentimin, dokumentimin dhe ndëshkimin ligjor të çdo rasti.
Në këtë kuadër, Drejtoria e Antiterrorit arrestoi në flagancë shtetasen Xhuljana Aliaj, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Gjatë monitorimit të burimeve të hapura (rrjeteve sociale) nga struktura të Drejtorisë së Antiterrorit është konstatuar se shtetasja Xhuljana Aliaj, ka postuar nga profili i saj në rrjetin social “Facebook”, në linkun https://www.facebook.com/xhulja.aliaj shkrime me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëmërmjet efekteve të këtyre lajmeve.
Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me strukturat e tjera të specializuara në Policinë e Shtetit kanë evidentuar edhe raste të tjera për të cilat në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve përkatëse po vijon me procedimet penale dhe për çdo rast do informohet media e publiku.
Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të lajmeve që shpërndahen në rrjete sociale, të cilat krijojnë panik dhe fton cilindo që has në të tilla njoftime paniku të njoftojë menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 112, apo në Komisariatin Digjital. /KultPlus.com