20 Qershor, 2023 - 12:32 pm
Greta Thunberg, aktivistja suedeze e mjedisit, e fokusuar në rreziqet e shkaktuara nga ngrohja globale, është arrestuar nga policia, pasi kishte bllokuar trafikun për 5 ditë së bashku me aktivistë të tjerë të klimës nga organizata “Halla Tillbaka Framtiden”.
“Sot, për të tretën ditë radhazi, organizata ka bllokuar cisternat në portin e Malmö. Kriza klimatike është çështje jete a vdekjeje për shumë njerëz. Ne zgjedhim të ndalojmë fizikisht infrastrukturën e karburanteve fosile. Ne po rimarrim të ardhmen”, shkroi Thunberg në llogarinë e saj në Twitter, të shtunën.
Aktivistja 20-vjeçare, javën e kaluar, deklaroi se është tërhequr nga protestat në shkollë, për faktin e thjeshtë se është diplomuar tashmë.
“Jam diplomuar sot, që do të thotë se nuk mund të bëj më grevë në shkollë për motin. Kjo është greva e fundit e shkollës për mua”, shkruante Thunberg në rrjetin social. Në një tjetër publikim, ajo ka sqaruar se do të vazhdojë protestat në vende të tjera.
“Lufta sapo ka filluar”, shtoi e reja.
Kujtojmë se kjo vajzë nga Stokholmi u bë e njohur botërisht për demonstratat e saj që nga shtatori i vitit 2018, kur ishte vetëm 15 vjeç, kur i bëri thirrje qeverisë suedeze që të veprojë menjëherë për ndryshimin e klimës.
Disa vite më vonë, Greta Thunberg u njoh në mbarë botën pasi filloi një grevë shkolle përpara Parlamentit suedez në Stokholm, duke kërkuar që qeveria të reduktonte emetimet e karbonit bazuar në dispozitat e Marrëveshjes së Parisit. Këmbëngulja e demonstratës së tyre filloi të tërhiqte vëmendjen e mediave dhe ambientalistëve nga vende të tjera të botës.
Aktualisht, aktivistja është kthyer në një simbol të luftës kundër ndryshimeve klimatike, e cila ka gjeneruar mijëra ndjekës, por edhe kritikues në të gjitha anët e botës. Ndër më kritikët ndaj të resë është ish-presidenti Donald Trump, i cili është përpjekur ta tallte në disa raste./ a2cnn / KultPlus.com