5 Gusht, 2022 - 8:00 pm
Për shkak të sulmit kibernetik në sistemin online qeveritar, për të rikuperuar pengesat e hasura nga aplikuesit, Ministria e Kulturës shtyn afatin e përmbylljes së fazës së parë të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike”.
Afati i fundit i aplikimit, për fazën e parë, do të jetë data 19 gusht 2022.
“Art në Hapësira Publike” është një nismë shumëplanëshe, për të cilën qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej rreth 200 milionë lekësh.
Është një nismë që i vjen në ndihmë skenës së pavarur artistike; angazhon artistë shqiptarë e të huaj të arteve pamore, arkitektë, dizajner, inxhinierë ndriçimi etj. Por nga ana tjetër, do të ndikojë në përmirësimin e imazhit të hapësirave publike, gjithnjë duke iu përshtatur karakteristikave të zonës, në mënyrë që ato të jetë sa më tërheqëse dhe të jenë një vlerë e shtuar për hapësirën ku do të ngrihen.
Janë identifikuar 18 hapësira publike (1 institucion publik – spital), 12 rrethrrotullime, 4 mbikalime, 1 nyje infrastrukturore).
Ato shtrihen nga Veriu në Jug. Janë më së shumti rrethrrotullime, institucione publike apo mbikalime, si dy rreth rrotullime në Koplik, dy në Bajzë, Divjakë, Grabian, Kavajë, mbikalimi te “Plepat”, mbikalimi te “Pallati me shigjeta”, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” etj.
Në fazën I aplikanti paraqet projektidenë dhe dosjen e tij (jetëshkrimin, një shprehje interesi, një vetëdeklaratë mbi të drejtën e autorit).
Në fazën II, në rast përzgjedhjeje aplikanti duhet të dorëzojë projektin e detajuar (teknik, arkitektonik, të sistemimit të mjedisit përreth, konstruktiv, elektrik, hidtroteknik etj.), preventivin e detajuar, fazat e realizimit të veprës etj.
Përvoja është një kriter i domosdoshëm dhe aplikantët duhet të paraqesin, të paktën 2 (dy) punime të ngjashme, që kanë realizuar.
Artistët mund të aplikojnë me 3 projekt-ide, për 3 lokacione të ndryshme.
Nuk ka një tavan të realizimit të plotë të veprës, madje ka edhe një masë shpërblimi për artistët fitues, në masën 700 000 lekë./atsh/ KultPlus.com