14 Shkurt, 2025 - 8:41 pm
Promovimi i i artit, trashëgimisë kulturore dhe sportit, mbetet një nga vizionet e bashkisë së Durrësit, që çdo vit nxitet përmes shpalljes së thirrjeve për projekte përgjatë këtij viti.
Kryebashkiakja e këtij qyteti, Emiriana Sako ka bërë me dije sot se institucioni që ajo drejton mbetet i angazhuar për promovimin e artit, kulturës, trashëgimisë dhe sportit.
“E udhëhequr nga vizioni për ta shndërruar qytetin në një qendër të rëndësishme kulturore, turistike dhe sportive, shpall Thirrjen për Projekte për vitin 2025. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare, kjo iniciativë synon të krijojë një mjedis frymëzues dhe mbështetës për komunitetin artistik, kulturor dhe sportiv”, thotë Sako.
Sipas saj, qëllimi i kësaj thirrjeje është gjallërimi i jetës kulturore dhe sportive të qytetit, si dhe nxitja e zhvillimit ekonomik vendor, duke kontribuar në pasurimin e identitetit dhe dinamizmit të Durrësit.
“Thirrja për aplikimin e projekteve kulturore ka për qëllim mbështetjen e projekteve që realizohen brenda territorit të Bashkisë Durrës, përfshirë festivale, inovacione teknologjike për promovimin e trashëgimisë kulturore, promovimin e sportit dhe aktivitetet sportive, në sektorin e industrive krijuese, publikime që lidhen me pasurinë kulturore të Durrësit dhe shumë të tjera. Projektet e pranuara duhet të zbatohen në vitin buxhetor 2025”, thuhet në postimin e Sakos në rrjetet sociale.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit nënvizon se periudha e aplikimit për projektet vijon deri më 25 shkurt 2025, ndërsa aplikimet mund të dorëzohen në formën e printuar pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Bashkisë Durrës ose në adresën e e-mail-it: [email protected]./KultPlus.com