Arti përtej çdo barriere, artisti Akil Dashevci hap ekspozitën personale ‘Rrugëtimi përmes ngjyrave’

17 Shkurt, 2024 - 4:03 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, hapësira në KultPlus Caffe Gallery, kishte marrë ngjyrë tjetër, me prezantimin e një arti të veçantë të një artisti të veçantë siç është Akil Dashevci, shkruan KultPlus.

“Rrugëtimi përmes ngjyrave”, është ekspozita e katërt me radhë e artistit Dashevci. Përveç këtyre, Dashevci ka prezantuar artin e tij edhe në ekspozita kolektive dhe në gara të artit pamor.

Akil Dashevci, talentin e tij për ngjyrat dhe artin e ka zbuluar gjatë mbylljes në kohë të pandemisë, ngjyra që tashmë kanë shpërthyer përtej mureve të krijimtarisë dhe për t’u prezantuar për publikun e gjerë. E se arti i tij tashmë ka marrë nje kuptim të plotë profesional, u pa edhe në numrin e madh të publikut që kishte mbushur plot hapësirën e kësaj galerie.

Hapjen e ekspozitës e bëri moderatorja, Vlora Merovci, e cila u shpreh se përveç veçantisë që sjell kjo mbrëmje, edhe për të si moderatore, ky ishte një emocion akoma më i veçantë.

“Sonte është një mbrëmje e veçantë, është një ekspozitë e veçantë, sonte edhe unë si prezantuese kam emocione shumë të veçantë. Sonte kemi ekspozitën e një djali 17-vjeçar i cili çfarëdo që mendon  dhe çfarëdo që ndjen, nuk e shkruan, por e vizaton, është ky, Akil Dashevci. Akili është një djalë shumë i dashur e i hareshëm, është një djalë shumë paqësor dhe di të jep vetëm dashuri të sinqertë. Unë me këtë rast dua të citoj edhe një thënie të Picassos i cili thotë se ‘çdo fëmijë lind artist, por çështja është se a do të mbetet i tillë kur të rritet’, prandaj unë po ju them se Akili është rritur dhe ka mbetur prapë artist”, u shpreh Merovci.

Në  këtë mbrëmje që kishte mbledhur shumë artdashës e familjarë për ta përkrahur artin e veçantë të Akil Dashevci, e para fjalën e mori drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti.

“Faleminderit që keni ardhë në ekspozitën personale të Akil Dashevcit, e cila është e katërta me radhë. KultPlus Caffe Gallery e ka shpreh gatishmërinë që të jetë nikoçire e kësaj ekspozite. Për këtë ekspozitë nuk mund të mos e përmend edhe kontributin e Vlora Merovcit që më ka njohur më afër me nënën e Akilit, e për të dhënë më vonë kontributin grupor në hapjen e kësaj ekspozite. KultPlus gjithmonë i ka mbështetur artistët e rinj, mirëpo kur duhet të gërshetohemi me artin dhe kauzat siç është kjo e sotmja, atëherë vullneti dhe dëshira e redaksisë së KultPlus është edhe më e fuqishme”, u shpeh Pajaziti, e cila mes tjerash tha se arti i Akil Dashevci do të prezantohet edhe për dy javë të tjera në hapësirat e KultPlus Caffe Gallery.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe piktori Musa Prelvukaj, i cili nga prespektiva e tij dha një mendim kritik rreth artit të Akil Dashevcit.

“Sot, Akil Dashevci, nuk është një piktor që bën hapat e parë, kjo është ekspozita e tij e katërt që është dëshmuar me piktura. Është fat i mirë që Akili të mirën shpirtërore e shpreh nëpërmjet ngjyrave, prandaj, është një thënie filozofike që thotë se e bukura vizuele është pak e qëndrueshme, e bukura shpirtërore është shekullore e te Akili e gjej të bukurën shpirtërore. Jam i bindur që Akili do të jetë shpirtërisht i bukur deri në frymën e fundit”, tha Prelvukaj duke vazhduar më tutje se meqë e njeh nga afër punën e Akil Dashevcit, nuk kemi të bëjmë me një amatorizëm, por hyrje në një punë profesionale te punimeve e pikturave.

Një fjalë rasti e mori edhe përkujdesësi i Akil Dashevci, Lum Gashi, i cili njëherazi është edhe shoku më i ngushtë i tij.

“Ju përshendes të gjithëve që keni ardhur sonte këtu. E falënderoj stafin e KultPlus për gjithë këtë mundësi që na e keni dhënë”, tha Gashi duke i ftuar më tutje të pranishmit që ta shijojnë ekspozitën e prezantuar.

 Për fund, fjalën e morin edhe nëna e Akilit, Safa Dashevci, e cila po ashtu falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen.

“Falënderoj të gjithëve që keni ardhur që t’i shikoni punimet e Akilit, falënderoj Ardianë Pajazitin dhe Vlora Merovcin për mbështetjen. Për Akilin u fol shumë sonte, e unë dua për fund t’ju ftoj të gjithëve që ta shijoni ekspozitën”, u shpreh e ëma e Akilit.

Ju rikujtojmë që ekspozita e Akil Dashevcit do të jetë e hapur për dy javë në hapësirat e KultPlus Caffe Gallery./KultPlus.com  

Të ngjajshme