22 Korrik, 2024 - 12:50 pm
Shfaqja e Teatrit Kombëtar të Eksperimentalit “Kujtim Spahivogli” , “Tirana My Rhythm – 10 Kërcime”, me koreografi të Giulio De Leo, mori pjesë në Salerno Dance Festival, ku publiku italian e priti me mjaft interes dhe entuziazëm.
Drejtuesi artistik i festivalit, Luigi Aruta, e cilësoi shfaqjen si një vepër të nivelit të lartë profesional, që përmbush të gjitha kriteret artistike të festivalit. Ai theksoi se koreografi Giulio De Leo kishte arritur të përballonte me mjeshtëri traditën e kërcimit shqiptar me zhvillimet e vrullshme të Tiranës moderne, duke krijuar një kombinim unik midis traditës dhe ritmit të jetës së përditshme qytetare.
Shfaqja “Tirana My Rhythm” përdor një miksim të dancit dhe projeksionit vizual për të sjellë në skenë ritmin e brendshëm të një qyteti gjithnjë e më tërheqës për t’u vizituar.
Në mënyrë të veçantë u vlerësuan tre balerinët Semela Skënderasi, Mariel Brahimllari dhe Valentina Myteveli për energjinë, intensitetin dhe cilësinë e admirueshme të interpretimit skenik. Performanca e tyre ishte një nga pikat kulmore të shfaqjes, duke tërhequr vëmendjen dhe duartrokitjet e publikut.
Pas shfaqjeve, u organizuan diskutime të hapura me artistët, krijuesit dhe drejtorin e TKEKS, Gjergj Prevazi.
“Tirana My Rhythm” ka marrë pjesë deri tani në gjashtë festivale ndërkombëtare në Itali dhe Shqipëri, duke pasur mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë./atsh/KultPlus.com