Artistët e TKK-së: Jemi më të degraduarit në rajon

26 Nëntor, 2024 - 1:35 pm

Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, përmes një veprimi simbolik para Ministrisë se Kulturës, ka bërë thirrje publike ndaj institucioneve të Kosovës për të reflektuar mbi gjendjen e rëndë, diskriminuese dhe të papranueshme të artistëve.

Në një njoftim për medie, Sindikata e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, bën të ditur se diskriminimi ligjor që është bërë, sfidon dinjitetin e profesionit të aktrimit dhe, sipas tyre, është një gabim që do mbahet në mend si ofendimi më i rëndë që i është bërë artistit të Teatrit Kombëtar

“Artistët janë pasuria e një shoqërie dhe ndikimi i tyre shkon përtej skenës apo ekranit, dokumentojnë ngjarjet e rëndësishme historike dhe sociale, përmes krijimtarisë se tyre ata ruajnë dhe përcjellin identitetin kombëtar dhe kulturor brezave të ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Shoqata Sindikale e Artistëve Ministrisë të Teatrit Kombëtar të Kosovës ia kujtojnë Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë së Kosovës se puna dhe përkushtimi i tyre për Teatrin Kombëtar nuk mund të vazhdojë e të keqpërdoret e të jenë më të degraduarit në rajon.

“Ne kemi dhënë dhe do të japim gjithçka për Teatrin, shtëpinë tonë, duke punuar pa orar, në vikende dhe festa zyrtare, shpesh pa u respektuar as standardet minimale të trajtimit dinjitoz që meriton një artist”, thuhet në njoftim, teksa bëhet e ditur se nuk do të ndalen derisa t’i arrijnë të drejtat e  tyre legjitime.

“Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”, thuhet në fund të njoftimit të Këshillit Grevist të Shoqatës Sindikale të Artistëve të TKK-së./rtk/KultPlus.com

Të ngjajshme