26 Shtator, 2019 - 5:52 pm
Arbër Selmani
(Teksti i huazuar nga Balkan Insight)
Milica Djurdjeviç e organizatës politike të ekstremit të djathtë Zavetnici ishte e zemëruar.
Djurdjeviç po mbante fjalën në një tubim proteste në maj në Beograd kundër hapjes së festivalit të përvitshëm “Mirëdita, Dobar Dan” në kryeqytetin serb – një event që synon të afrojë serbët dhe shqiptarët e Kosovës përmes kulturës.
“Ky festival sigurohet të theksojë se Kosova është një vend i pavarur, duke falsifikuar kështu historinë dhe duke fajësuar Serbinë për gjithçka që ndodhi atëherë në Kosovë (gjatë luftës 1998-1999)”, tha Djurdjeviç.
“Shumica prej nesh në Serbi janë kundër këtij festivali dhe kjo na fyen drejtpërdrejt,” pohoi ajo.
“Mirëdita, Dobar Dan” – që do të thotë “mirëdita” në shqip dhe serbisht – ka për qëllim të shfaqë kulturën e Kosovës para një publiku në Beograd.
Por ai është shënjestruar vazhdimisht nga demonstratat – siç ishte rasti kur Rona Nishliu, një këngëtare e famshme nga Kosova, mbajti një koncert gjatë festivalit të parë në vitin 2014, dhe kur ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se kishte ndërmend të mbante një fjalim në këtë event.
Para festivalit të vitit 2018, policia serbe konfiskoi tre fotografi të artistes shqiptare të Kosovës, Eliza Hoxha, të cilat duhej të ekspozoheshin në festival, ndërsa ajo kalonte kufirin për në Serbi.
Fotografitë përmbanin imazhe të simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila konsiderohet një organizatë terroriste nga qeveria serbe. Ministri i Brendshëm i Serbisë Nebojsa Stefanoviç deklaroi se duke konfiskuar fotografitë, ai kishte parandaluar “promovimin e një organizate terroriste në emër të kulturës”.
Ndërhyrjet artistike mund të sigurojnë “homologë joformale për mekanizmat më të rëndësishëm të drejtësisë tranzicionale: të vërtetën dhe procesin e pajtimit, lustracionin publik, faljen publike, dëmshpërblimin psikologjik, kërkesën për qasje publike në regjistrat qeveritarë dhe të tjera”, sugjeroi Sanja Bahun në kapitullin e saj mbi këtë temë në një libër të vitit 2015 me titull “Teorizimi i Drejtësisë Tranzicionale”.
Orli Fridman, një profesoreshë e asociuar në Universitetin Singidunum në Beograd, ku drejton Qendrën për Studime Krahasuese të Konflikteve, sugjeron se festivali “Mirëdita, Dobar Dan” është një shembull i nismave “të njerëzve për njerëzit” që ofrojnë qasje alternativë ndaj konfliktit Kosovë-Serbia nga ato të ofruara nga politikanët nga të dy palët.
“Për më tepër, unë argumentoj se një festival i tillë po ofron gjithashtu një alternativë për nacionalizmin e përditshëm,” shkruan Friedman në një artikull të ardhshëm për një gazetë akademike të titulluar “Kombet dhe Nacionalizmi”.
Megjithatë, kundërshtimi i përpjekjeve për të promovuar pajtimin midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës mbetet i rëndësishëm. Në mars të këtij viti, kur filmi dokumentar “Ferdonija”, mbi jetën e një gruaje kosovare që humbi familjen e saj në luftë, u shfaq në Beograd, disa qindra huliganë futbolli u përpoqën të hynin gjatë shfaqjes së tij dhe ta shkatërronin atë.
“Arritja tek të rinjtë”
Qendra e Dokumentacionit Kosovë, ku ekspozohen çështje të drejtësisë tranzicionale në Prishtinë, e cila u krijua nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare, ka mbajtur ekspozita dhe instalacione arti që nga hapja në vitin 2017.
Wade Goddard, i cili mbuloi konfliktet në ish-Jugosllavi si fotograf i pavarur për Reuters, New York Times dhe Newsweek, ka një ekspozitë të përhershme aty me imazhet e tij që tregojnë vuajtjet e luftës në Kosovë.
Një ekspozitë tjetër e përhershme përbëhet nga nëntë dokumentarë të shkurtër që tregojnë se si janë hetuar krimet e kryera në Kosovë dhe se si ndjekur penalisht në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Një tjetër ekspozitë e organizuar këtë vit nga Fondi për të Drejtën Humanitare, me titull “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, evokoi kujtime të fëmijëve të vrarë në Kosovë midis viteve 1998 dhe 2000 me një ekspozim të sendeve personale si fletore, rroba, këpucë, çanta shkolle, lodra, fotografi dhe tregime të shkurtra.
“Njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, përkujtimi përmes formave të ndryshme të artit është një mënyrë e duhur për të arritur tek të rinjtë që nuk kanë burime informacioni në lidhje me luftën,” tha Dea Dedi nga Qendra e Dokumentacionit në Kosovë, e cila ishte pjesë e të ekipit të ekspozitës.
“Qëllimi i ekspozitës është të kujtojë fëmijërinë e ndërprerë si rezultat i luftës në Kosovë. Nëpërmjet historive që fshihen pas tyre dhe gjërave që u përkasin atyre, kjo ekspozitë shërben si një thirrje për të rritur ndërgjegjësimin në shoqëri, si dhe për të ndërtuar një kujtesë kolektive,” shtoi Dedi.
Një nga përdorimet më mbresëlënëse të artit për të trajtuar disa nga aspektet më të ndjeshme të konfliktit të viteve 1990 ishte një projekt i artistes kosovare Alketa Xhafa Mripa.
Me ekspozitën e saj “Mendoj për ty” në vitin 2015, Alketa përdori stadiumin kryesor të futbollit në Prishtinë si kanavacë, të cilën e dekoroi me mijëra fustane dhe funde të dhuruara nga njerëz në të gjithë Kosovën, duke e kthyer atë në një nderim të fuqishëm për të mbijetuarat e dhunës seksuale, duke synuar të thyejë heshtjen për përdhunimet e kohës së luftës.
Presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte personi i parë që dhuroi një fustan, duke lavdëruar solidaritetin dhe mbështetjen që arti ofronte për viktimat. Jahjaga tha se ishin autorët e këtyre krimeve që duhet të turpëroheshin, jo gratë që ata sulmuan.
“Ne kemi një detyrim moral”
Pas përfundimit të luftës, Andrej Nosov, i cili ishte pothuajse 20 vjeç në atë kohë, kaloi pikën kufitare të Merdares në Kosovë. Nuk kishte autobus, kështu që iu desh të ecte në këmbë.
Ishte një kohë e çuditshme që një serb të endej në Kosovë, duke folur serbisht, kujtoi ai.
Nosov, i cili u rrit në Kosovë para luftës dhe tani është një aktivist politik dhe artist, tha se situata ka ndryshuar që nga vizita e tij e parë pas luftës në Kosovë, por jo retorika për mënyrën se si serbët dhe shqiptarët e Kosovës e shohin njëri-tjetrin. Por arti dhe kultura mund dhe duhet të luajnë një rol në ndryshimin e gjërave, këmbënguli ai.
“Komuniteti i artistëve duhet të bëjë shumë më tepër në të ardhme, sepse kurrë nuk është mjaftueshëm. Për këto marrëdhënie dhe për të kuptuar ato marrëdhënie komplekse dhe shumë tragjike midis dy kombeve, duhet të bëjmë më shumë,” tha Nosov, i cili gjithashtu themeloi OJQ-në e njohur Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.
Progres është bërë, megjithatë, shtoi ai: “Sigurisht që ka artistë të talentuar që përpiqen të kuptojnë anën tjetër, ne kemi shembuj specifikë ekspozitash të rëndësishme, shfaqjesh teatrore dhe librash që kanë hapur një hapësirë për prishjen e hendekut midis komuniteteve .”
Nosov realizon shfaqjet e tij dhe drejton vepra dramatike, duke trajtuar çështje si politika e kujtesës, drejtësia dhe pajtimi pas konfliktit dhe të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara.
“Artistët janë qytetarë dhe ne si qytetarë kemi detyrimin moral të shohim rreth vetes dhe të shohim kush është racist dhe kush jo dhe t’i rregullojmë gjërat,” tha ai.
“Një pyetje e rëndësishme është ajo në lidhje me llogaridhënien dhe përgjegjësinë, e cila u drejtohet të gjithëve,” shtoi ai.
Nosov aktualisht është duke punuar për një pjese teatrore për Kosovën në të cilën ai po përpiqet të përdorë tregimet ortodokse serbe nga historia.
“A ka pasur ndonjë pjesë pozitive të historisë midis Kosovës dhe Serbisë? Ka pasur ndonjë periudhë kur këta njerëz mund të jetonin së bashku? A është e mundur që e gjithë historia jonë të përshkruhet në një mënyrë të caktuar?”, pyeti ai.
“Kosova është shumë e rëndësishme për mua sepse në një farë mënyre jam rritur atje dhe Kosova është një temë e rëndësishme në atë që unë bëj. Në aspektin emocional, dua të trajtoj faktin se pati një luftë, faktin që humbëm diçka, marrëdhëniet e shkatërruara dhe njerëzit e humbur,” shtoi ai.
Nosov është drejtori menaxhues i “Heartefact”, një OJQ e përfshirë në organizimin e shfaqjeve teatrore politike, e cila organizoi vënien në skenë në Beograd të “Gishti” nga Doruntina Basha, dramaturge dhe skenariste nga Prishtina.
“Gishti” trajton në mënyrë origjinale temën e personave të zhdukur nga lufta e Kosovës – nga perspektiva e grave që mbetën pas pasi burrat u tyre u zhdukën.
“Në shumë shtëpi tradicionale kosovare, ndodh akoma që gratë e burrave që u zhdukën gjatë luftës vazhdojnë të jetojnë me familjen e burrit të tyre, edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë nga lufta. E drejta mbi jetën e tyre, e cila dikur i përkiste burrave të tyre, tani i përket familjes së tij. Ato nuk kanë një jetë ‘private’,” tha Basha në një përmbledhje të veprës.
“Doja t’i jepja një zë një komuniteti që e kalon jetën në heshtje: familjeve të njerëzve të zhdukur në luftën në Kosovë. Ata janë një numër kaq i madh dhe hisoritë e tyre janë thuajse të panjohura për ne. Fakti që zëri i tyre mungon tregon se sa shumë kemi dështuar ne në shqyrtimin, mirëkuptimin dhe gjithashtu lënien pas të së kaluarës tonë traumatike,” tha ajo.
Basha e ka vënë në skenë veprën në Beograd, Shkup, Sarajevë, Vjenë, Prishtinë dhe Tiranë, dhe tha se ajo besonte se arti dhe kultura mund të luajnë një rol unik në trajtimin e ngjarjeve të dhimbshme nga e kaluara.
“Do të ishte mirë që secili artist që jeton në një kontekst të pas luftës të përdorë ‘armët’ personale për të ndihmuar shoqërinë të kuptojë, përpunojë dhe kapërcejë përvojën traumatike të luftës. Arti e ka këtë avantazh unik. Ai është i hapur dhe i arritshëm për të gjithë, nuk përjashton askënd dhe nuk paragjykohet,” shpjegoi ajo.
“Prandaj ai është një nga platformat më të sigurta në të cilat mund të ndodhë trajtimi i së kaluarës, një dialog që asnjë platformë tjetër nuk e lejon,” shtoi ajo.
Megjithatë, artistët duhet të jenë të kujdesshëm kur trajtojnë çështje të tilla, paralajmëroi ajo: “Të punosh me të kaluarën nëpërmjet artit është shumë e ndjeshme. Gjithmonë ekziston rreziku që një vepër arti të ritraumatizojë publikun.”
“Bashkëpunimet nuk ofrojnë amnisti”
Shkrimtari kosovar Shkëlzen Maliqi është përfshirë në nisma bashkëpunimi artistik Kosovë-Serbi për dekada të tëra. Në vitin 1997, ai mori pjesë në një ekspozitë të titulluar “PERTEJ”, e cila bëri të mundur që artistët kosovarë të tregonin punën e tyre në Beograd në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor, një vend arti dhe idesh alternative që ishte pjesë e opozitës së regjimit të Sllobodan Millosheviçit.
Në kohën e ekspozitës, edhe pse lufta e Kosovës nuk kishte shpërthyer ende, shtypja e shqiptarëve etnikë nën sundimin e Beogradit ishte e përhapur.
“Në atë pikë, shumë njerëz në Kosovë po na thoshin, çfarë kërkoni në Beograd? Kjo thjesht legjitimon shtetin aktual në Kosovë! Pse duhet të pranoni epërsinë e Beogradit, pavarësisht faktit se Qendra për Dekontaminim Kulturor është kundër regjimit të Millosheviçit?”, kujtoi Maliqi.
“Vazhdova të mbroja faktin se “PERTEJ” ishte një iniciativë për të shembur kufijtë dhe për të krijuar komunikim midis artistëve,” shtoi ai.
Në qershor 2018, Maliqit iu ndaluar pjesëmarrja në “PERTEJ/BEYOND/PREKO 20 YEARS”, një event në Beograd për të promovuar një libër që tregon për atë ekspozitë, pasi u mbajt në kufi nga oficerët e policisë serbe. Eventi më pas u anulua nga organizatorët në shenjë proteste kundër kufizimeve të paarsyeshme të lirisë së lëvizjes për artistët kosovarë.
Pavarësisht kësaj, Maliqi tha se ai vazhdon të besojë se bashkëpunimet artistike midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve janë të rëndësishme, pasi ata janë të destinuar të mbesin fqinjë.
“Regjimi aktual serb është një vazhdim i atij gjatë viteve nëntëdhjetë, por lidhja që ne kemi sot me kulturën serbe nuk është për hir të tyre, por për hir të paqes dhe njerëzve racional në Serbi. Sot ka pak prej tyre, por nuk mund t’i shpërfillim ata – të mos harrojmë se këta janë njerëz që po i kërkojnë shtetit të kërkojë ndjesë zyrtare për të gjitha krimet,” shpjegoi ai.
“Bashkëpunimet nuk ofrojnë amnisti për krimet, por krijojnë një hapësirë për një të ardhme në të cilën fqinjët e respektojnë njëri-tjetrin dhe zhvillojnë shkëmbime normale kulturore,” përfundoi ai.
Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian.