Artisti gjerman krijon vepra arti me material të pazakontë

8 Dhjetor, 2024 - 11:29 pm

Për të krijuar vepra arti shumë piktorë kanë përdorur materiale shpeshherë jo të zakonta. Megjithatë, pak gjëra i afrohen materialit të zgjedhur nga artisti gjerman Werner Haertl.

Ai realizon vepra arti të kushtueshme me jashtëqitje lope dhe i merr të gjitha falas nga një fermer ngjitur me studion e tij të ngritur në një ish-kasolle lopësh. Për piktorin gjerman përdorimi i këtij materiali nuk është i panjohur për njerëzimin.

“Jashtëqitja e lopës, kush thotë se është absurde ta përdorësh atë? Është thjesht me bazë bimore dhe ka pasur raste kur ishte arti i jetës sonë të përditshme. Deri në vitet 1960, kuzhinat zbardheshin me gëlqere dhe materiale të tillë”, tha Werner Haertl.

Veprat e artit nga 46-vjeçari i lindur në Mynih dhe baba i tre fëmijëve, trajtojnë jetën në fshat dhe  dashurinë e tij për kafshët.

“Ajo që më frymëzon janë peizazhet e bukura si ai që më rrethon, por edhe gjetkë, malet, dhe kafshët, si lopët. Nëse bëhet fjalë për atë që më prek më shumë, janë peizazhet e fermave që zhduken gjithnjë e më shumë për shkak të industrive te ndryshme. Kultura jonë bavareze është e lidhur ngushtë me bujqësinë dhe ekziston gjithnjë e më shumë kërcënimi që presioni për të investuar të dëmtojë fermat”, tha Werner Haertl.

Për blerësit e mundshëm të cilët mund të shqetësohen për erën e pakëndshme artisti gjerman jep këtë përgjigje.

“Hundët e ndjeshme do të nuhasin diçka teksa unë jam duke pikturuar. Unë për vete nuk ndjej më erë, sidomos me këto temperatura. Sapo piktura thahet, pas dy-tre ditësh, nuk ndjen më erë”, tha ai.

Veprat e artit të piktorit gjerman variojnë nga 200 euro që është shifra më e vogël deri në mijëra euro./klan/ KultPlus.com

Të ngjajshme