Artisti kosovar Petrit Halilaj ka paraqitur ekspozitën e tij të parë personale në Spanjë

16 Korrik, 2020 - 10:32 pm

Artisti kosovar Petrit Halilaj ka paraqitur ekspozitën e tij të parë personale në Spanjë, me titull: Një korbi dhe uraganët që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar.

Hapur me 16 Korrik në Pallatin e Kristaltë në Madrid, artisti ka përdorur një gamë të gjerë elementesh për t’i eksploruar temat si shtëpia, kombi, dashuria dhe identiteti kulturor.

Kjo është ekspozita e parë që përurohet nga Muzeu Reina Sofía qëkur është mbyllur për shkak të pandemisë së COVID-19, e cila në Mars të këtij viti ndërpreu montimin e shfaqjes.

Halilaj e ka shndërruar Palacio de Cristal në një fole gjigante që lidh pjesën e brendshme me atë të jashtmen, duke bashkuar vizitorët me mjedisin rreth tyre me vendosjen e dritareve, instalimin e strukturave dhe vendosjen e hapësirave ushqyese për t’i joshur zogjtë dhe krijesat e tjera që jetojnë në Parkun Retiro ose që kalojnë përmes tij. Si veçori e përsëritur në veprën e tij, zogjtë simbolizojnë kapërcimin e kufijve që mendimi bashkëkohor ka vënë mes subjektit dhe objektit, mes kulturës dhe natyrës. Në veçanti, artisti është frymëzuar nga ritualet e jashtëzakonshme të çiftimit të zogjve të tendës (bowerbirds).
Ideja e këtij rituali lidhet ngushtë me biografinë e tij. Lulet e mëdha që zbukurojnë folenë, të punuara nga një kornizë delikate e çeliktë dhe me pëlhurë të ngjyrosur, janë rezultat i punës së përbashkët me partnerin e tij të jetës, artistin Álvaro Urbano. Përzgjedhja i tyre përbën një pjesë të historisë personale që i ndërlidh me njëri-tjetrin, dhe qëllimi i tij është ta kremtojë lidhjen e tyre.
Për Halilaj, është themelore t’i kalojë kufitë mes shfaqjeve publike që konsiderohen se janë të pranueshme ose meritojnë vëmendje dhe atyre që censurohen dhe përbuzen.

“Frymëzimi fillestar vjen prej një historie personale, e cila është kremtimi i lidhjes sime me Alvaron, por në të vërtetë të gjithë ne jemi të ftuar dhe të inkurajuar ta përjetojmë këtë ekspozitë si hapësirë të lirisë dhe dashurisë. Dhe, fatkeqësisht, kur flasim për dashurinë, shtresa kremtuese është vetëm pikëmbërritja e rrallë dhe fatlume pas një shtegu të gjatë e kompleks.” ka thënë Halilaj në fjalën e tij të hapjes. “Në fakt, ekspozita flet për shtigjet e rënda dhe shpeshherë dramatike që duhet t’i ndjekim për të arritur te pika ku mund ta dashurosh dikë, për ta ndier njohjen e dashurisë sonë, së pari nga vetë ne dhe pastaj nga familja dhe miqtë, dhe më pas nga e gjithë shoqëria.” – ka vazhduar ai.

Sikur foletë në natyrë, hapësira e stisur nga Halilaj nuk mund të shihet si autonome ose e ndarë nga mjedisi, vizitorët dhe aktivitetet e tyre. Përkundrazi, është vazhdimësi e tyre.

‘Zogjtë gjithmonë kanë pasur një vend të posaçëm në mendjen dhe veprën time. Prej kohës së luftës mes Serbisë dhe Kosovës mes viteve 1998-99 kur jetoja si refugjatë me familjen time, i shikoja zogjtë me shpresë. Për mua, ata trupëzonin lirinë e lëvizjes që nuk e kisha në atë kohë, por që e dëshiroja tepër. Zogjtë i kalonin kufijtë gjeografikë që njerëzit nuk mund t’i kalonin. Prandaj doja të isha zog.’ – është shprehur ai në hapjen e ekspozitës për mediat botërore.

Në ekspozitën e Halilajt që për publikun hapet më 17 Korrik në Madrid, ka diçka të çuditshme dhe joproporcionale për madhësinë e folesë, për shkallën gjigante të luleve dhe për rehatnë e centralitetin që ky ambient ua ofron zogjve. Kështu, artisti pezullon pikëvështrimin logocentrik që njeriun e shtyn të mendojë që është qendra dhe masa e çdo gjëje, duke na inkurajuar ta shohim vetën thjesht si një element shtesë në mesin e shumë të tjerëve.
Një korbi dhe uraganët që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar është ekspozita e parë që përurohet nga Muzeun Reina Sofía qëkur është mbyllur për shkak të pandemisë së COVID-19, situatë cila ndërpreu montimin e shfaqjes se Halilajt në Mars 2020.

Manuel Borja-Villel kurator i ekspozitës dhe njëherit drejtor i Muzeut Reina Sofia është shprehur: “Vepra e Petrit Halilajt është e lidhur ngushtë me biografinë e tij, me historinë e vonshme të vendit të tij dhe me pasojat e tensioneve politike dhe kulturore në rajon. Kujtimet e fëmijërisë të zhytura në dramën e luftës dhe të jetës si refugjat shfaqen e rishfaqen në artin e tij, i cili përqafon temat sikur shtëpia, kombi dhe identiteti kulturor përmes mediumeve të llojllojshme që përfshijnë vizatimin, skulpturën, videon, instalacionet dhe madje shkrimin. Sidoqoftë, ai nuk pandeh një shkeputje mes personales dhe intimes dhe mes historikes e sociales, por në vend të asaj percepton një marrëdhënie dhe vazhdimësi që mund të gjendet në intervenimin e tij për Pallatin e Krisaltë në Madrid.” / KultPlus.com

Të ngjajshme