Artistit Lazri i ndahet Titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta

27 Qershor, 2020 - 5:00 pm

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi artistin, muzikologun, kompozitorin dhe pedagogun e shquar Gjovalin Lazri me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të talentit të spikatu r muzikor, të mjeshtërisë së lartë të interpretimit si violinçelist, si dhe me mirënjohje për kontributin e veçantë dhënë gjatë punës plot përkushtim si drejtues i Liceut Artistik ‘Jordan Misja’ në fushën e pedagogjisë artistike për formimin profesional të artistëve të rinj”.

Në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur gjatë ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast, ku merrnin pjesë artistë dhe personalitete të muzikës shqiptare, Kreu i Shtetit falenderoi Mjeshtrin Zhani Ciko për prezantimin e veprimtarisë së spikatur të Profesor Gjovalin Lazrit dhe shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që po nderon një nga figurat e shquara të muzikës sonë kombëtare.

“Me violinçelin e tij Profesor Lazri na ka dhuruar kënaqësi artistike dhe estetike, por mbi të gjitha mesazhe njerëzore, të cilat na kanë ndriçuar duke ndryshuar pozitivisht përditshmërinë e jetës sonë, por edhe duke na bërë optimist për të ardhmen”, tha Meta.

“Në këto shtatë dekada të jetës dhe veprimtarisë së tij të vyer artistike, Profesor Gjovalin Lazri ka lënë gjurmë të shndritshme artistike në jetën solistike e koncertale, në mësimdhënien e tij pedagogjike dhe drejtimin e Liceut Artistik ‘Jordan Misja’, të cilat ne vazhdojmë t’i ndiejmë, t’i prekim akoma dhe nga të cilat duhet të frymëzohemi më shumë për të ardhmen”, theksoi Meta.

“Ai asnjëherë nuk reshti së kontribuari profesionalisht dhe qytetarisht për shoqërinë dhe edukimin e brezave më të rinj. Ai vazhdon të mbetet një thesar prej të cilit të gjithë nxënësit e dikurshëm të tij, kolegët pedagogë dhe drejtuesit e mëvonshëm të Liceut Artistik ‘Jordan Misja’ marrin shembull dhe frymëzohen.Prandaj ndihem i nderuar që ta vlerësoj këtë artist të rrallë e të shquar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, duke i uruar edhe njëherë shëndet dhe jetë sa më të gjatë dhe që të shkëlqejnë sa më shumë nxënësit e tij”, theksoi Presidenti Meta, duke i dorëzuar Gjergj Lazri dekoratën e lartë për babain e tij. /Atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme