7 Dhjetor, 2022 - 9:50 am
Më 8 dhjetor 2022, Artpolis do të organizojë marshin “Boll Ma! Abuzimi nuk fshehët brenda mureve”. Për herë të parë një marsh që thërret kundër abuzimit të grave me aftësi të kufizuara.
Marshi do të nisë në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 12:00, për të përfunduar para Qeverisë së Kosovës në ora 13:00.
“Boll Ma! Abuzimi nuk fshehët brenda mureve” i dedikohet vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë viktima të abuzimit seksual, fizik, emocional dhe ekonomik.
“Boll Ma!…” është një thirrje për të ndaluar abuzimin ndaj grave brenda e jashtë mureve, në hapësira publike e private. Mosraportimi, heshtja dhe fshehja e rasteve riprodhon strukturat e patriarkatit.
“Boll Ma!…” synon të jetë zëri i revoltës që tenton të sfidojë e dënojë mizogjeninë, racizmin, seksizmin, diskriminimin, abuzimin dhe dhunën në të gjitha format e saj.
“Boll Ma!…” heshtja nuk është zgjidhje. Raportimi dhe luftimi i fenomeneve të tilla na afron drejt barazisë sociale e gjinore.
Ky aktivitet organizohet nga Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Sponsor Gjeneral Buçaj SH.P.K /KultPlus.com